Maqedoni
Ndodhitë në BFI, Buzaku pret të marrë postin, akuzon se u sulmua. Rexhepi vazhdon takimet e planifikuara
24.04.2019 18:03
Efektet e situatës së tensionuar të së martës në selinë e BFI-së vazhduan edhe një ditë pas....

Skender Buzaku që këmbëngul se është kryetar i ri i BFI-së, sipas vendimit të gjykatës, thotë se në mesnatë është sulmuar fizikisht nga një grup që, sipas tij, është dërguar nga Sylejman Rexhepi. Sulmi, sipas Buzakut, ka ndodhur sapo janë larguar zyrtarët policorë.
“Ka ardhur policia zyrtare, më kanë identifikuar dhe ma kanë kërkuar se në bazë të cilit vendim jam futur brenda. Aty zyrtarët e policisë kanë qëndruar deri në orët e vona, por mbasi zyrtarët policorë e kanë lëshuar objektin, ka ardhur një grup që e ka dërguar Sylejman Rexhepi dhe na kanë sulmuar fizikisht, dhe ky grup është identifikuar nga policia, dihen emrat e tyre”,- tha reis sipas vendimit të gjykatës, Skender Buzaku.
Buzaku edhe njëherë kërkoi nga policia financiare që të inspektojnë punën e organeve të BFI-së, sepse, sipas tij, kanë dyshime të realta që kreu i BFI-së ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Sipas Buzakut, hapësirat e BFI-së momentalisht janë të uzurpuara dhe se do të kërkojë asistencë nga autoritetet për të ushtruar detyrën e re.
Drejtoria e Policisë Financiare pohon se ka pranuar kërkesën për kontrollim financiar, por demantojnë se është kryer ndonjë inspektim në hapësirat e BFI-së. Pohojnë se pasi ta shqyrtojnë kërkesën do të merret vendim se kur inspektorati do të vendosë të kontrollojë hapësirat e BFI-së.
Në BFI, ndërkohë, dita e punës vazhdoi normalisht. Ekipi i TVM2 ishte në selinë e këtij institucioni fetar.
Kryetari i deritanishëm i BFIM-së, z. Sulejman Rexhepi, është kthyer në vendin e tij të punës. Por, për dallim prej ditës së djeshme, situata duket shumë më e qetë. Por, sipas BFI-së, kreu i saj, Sylejman Rexhepi, është duke i kryer detyrat e tij të përditshme.
Rexhpi nuk pranoi të flasë gjatë për situatën e krijuar. Tha vetëm se ka takime të planifikuara që më herët. Sa i përket reagimeve politike tha se nuk është dëgjuar me asnjë parti.
“Kam takim me Kiro Stojanovin - biskupin e Kishës Katolike, takim i cili është paraparë para një jave. Me asnjë parti nuk kam pas kontakt”,- tha reisi i BFI-së, Sylejman Rexhepi.
Zëdhënësi i Bashkësisë Fetare Islame, Agron Vojnika, tha për ekipin tonë se takim mes Rexhepit dhe Buzakut nuk mund të realizohet. Sipas tij, reisit legjitim të BFI-së i kanë ardhur mesazhe të shumta mbështetëse jo vetëm nga vendi por edhe nga jashtë.
FITIM KRYEZIU
