Maqedoni

KSHPK shqyrtoi kundërshtimet zgjedhore

24.04.2019 18:29

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit shqyrtoi kundërshtimet lidhur me procesin zgjedhor.....

Kundërshtimi i kandidates për president republike, Gordana Siljanovska, për përfshirjen e një nëpunësi të Ministrisë së Financave në shtabin e kundërkandidatit Pendarovski, gjatë orarit të punës, më 18 prill, nuk është në kompetencë të Komisionit, prandaj antikorrupsioni vendosi që të kërkojë nga institucioni përkatës të konstatojë gjendjen faktike dhe të ndërmarrë masa.
 
“Të procedojmë në harmoni me ligjin tonë dhe ta parashtrojmë te organi kompetent për të përcaktuar përgjegjësi për personin, i cili gjatë orarit të punës ka qenë në ngjarje që lidhet me fushatë zgjedhore”,- tha anëtarja e KShPK-së, Sofka P. Dojçinovska.
 
Komisioni hodhi poshtë edhe kundërshtimin e sekretarit gjeneral të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, kundër kreut të komunës Gjorçe Petrov, për ndryshime në planin e detajuar urbanistik, si dhe kundërshtimin për subvencionimin e biçikletave nga Qyteti i Shkupit. Veç kësaj, në shtatë raste, antikorrupsioni ka verifikuar ndryshimin e akteve për sistematizim para publikimit të shpalljeve për të hapur vende të reja pune për persona konkretet. 
 
“E drejta e diskrecionit e personit përgjegjës shfrytëzohet në pjesën më të madhe të rasteve. Gjithashtu, konform akteve ligjore, kandidatët e refuzuar që kanë konkurruar në shpallje kanë marrë vetëm njoftim se janë refuzuar pa pasur mundësinë që të ankohen dhe as të shfrytëzojnë ndonjë mjet juridik”,- tha kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Antikorrupcioni gjeti parregullsi në procedurën e punësimit të djalit të deputetes, Mira Viktor, në “ELEM”, ndërkaq nuk janë gjetur elemente nepotizmi në rastin e punësimit të vajzës së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Besiana Xhaferit, dhe as në rastin e punësimit të vëllait të deputetes Mira Stojçeska, Cvetan Veleski.
 
Elemente ndikimi nuk ka as në punësimin e Hristijan Mickoskit, i biri i deputetit Goran Misoski, as në punësimin e Ilo Stojçeskit - i shoqi i deputetes Mira Stojçeska, dhe as te Nadica Dellkova - bashkëshorte e kryetarit të komunës Negotinë, Toni Delkov. Për dy raste të tjera priten të dhëna nga MPB.          
 
SHPËTIM NUREDINI