Maqedoni

KShZ, anulohet votimi në dy vendvotime në Kavadar

25.04.2019 12:11

Pas konstatimit të parregullsive, KSHZ vendosi të anulojë votimin në dy vendvotime në Kavadar dhe një në Kumanovë.....

Anulimi u bë për shkak të mospërputhjes së numrit të personave të regjistruar në listë se kanë votuar dhe fletëve të votimit të hedhura në kuti. Bëhet fjalë për vendvotimet 0684 dhe vendvotimin 0682. Në vendvotimin 0684 ka pasur 368 persona të regjistruar që kanë votuar, kurse janë konstatuar 369 fletëvotime.
 
Anëtarët e Këshillit Zgjedhor kanë konstatuar edhe vetë lëshimin dhe e kanë evidentuar në procesverbal. KShZ-ja po ashtu mori vendim për shkarkimin e anëtarëve të këtyre dy këshillave zgjedhorë.
 
Në vendvotimin 0682 lëshimi është bërë nga vetë anëtarja e Këshillit Zgjedhor, e cila menjëherë pas hapjes së vendvotimit ka votuar dhe më vonë është konstatuar se nuk është e regjistruar në atë vendvotim për shkak se ka ndryshuar adresën.
 
KShZ për të njëjtën arsye anuloi votimin edhe në vendvotimin 1075 në Kumanovë. Sipas listës, të drejtën e tyre zgjedhore e kanë realizuar 280 persona, derisa në kuti ka pasur 281 fletëvotime.