Maqedoni

Tragjedia në Llaskarcë, paraburgim shtëpiak për pronarin dhe shoferin

25.04.2019 12:44

Nga paraburgimi gjykatësi i procedurës ka vendosur të lëshojë në paraburgim shtëpiak Durmish Belulin....

Nga paraburgimi gjykatësi i procedurës ka vendosur të lëshojë në paraburgim shtëpiak Durmish Belulin, pronarin e kompanisë “Durmo Turs”, i dyshuar kryesor për tragjedinë në Llaskarcë, si dhe shoferin e autobusit - përgjegjës për aksidentin e para dy muajve, ku humbën jetën 16 persona dhe 35 u lënduan.
 
“Masa e paraburgimit u është ndërruar me paraburgim shtëpiak, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Të akuzuarit kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm”,- konfirmojnë nga Gjykata.
 
Ndaj këtij vendimi i cili është miratuar përpara dy ditëve, ka reaguar Prokuroria Themelore Publike. Në ankesën e dorëzuar nga PTHP thuhet se gjykatësi nuk ka të drejtë të vendos kur të dëshirojë për të ndryshuar  paraburgimin 30-ditor me masë më të lehtë. Për prokurorinë ky vendim është absurd.
 
“Kjo do të thotë shkelje dramatike e parimit të sigurisë juridike dhe pasiguri të organit, që në varësi të fazës së procedurës, sjell vendimet në emër të gjykatës. Përkujtojmë se ligjdhënësi është përcaktuar për një emërtim të përgjithshëm si “gjykata”, kur flet për obligimin që në çdo kohë të rishqyrtohet masa e paraburgimit, sipas detyrës zyrtare ose propozimit të palëve,  sipas nenit 173 alinea 1 nga Kodi Penal, por askund në ligj nuk jepet ekskluziviteti që kjo të bëhet gjatë kohës së hetimit nga gjykatësi i procedurës paraprake”,- thuhet në ankesën e Prokurorisë drejtuar gjykatës. 
 
Nga Gjykata arsyetohen se vendimi është marrë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të dy të akuzuarve, por vendimin përfundimtar për këtë do ta marrë gjithsesi Këshilli Gjyqësor. Pritet që Këshilli të vendosë javën e ardhshme. 
 
Gjashtë persona janë nën akuzë pas aksidentit për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë dhe personave në komunikacion”, personi i shtatë është i akuzuar për “Kryerje të detyrës në mënyrë të pandërgjegjshme”, pasi që ka dhënë leje që autobusi të qarkullojë me takometër të pakontrolluar. Sipas Prokurorisë, shkaktar kryesor për këtë aksident ka qenë shpejtësia e autobusit dhe mosfunksionimi i rregullt i pajisjeve për frenim.
 
REJHANE BUSHI METAJ