Maqedoni

Rastet e nepotizmit, Zaev: Përgjegjësi nga funksionarët që ndikuan punësimet

25.04.2019 17:39

Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar nga funksionarët përgjegjësi politike dhe profesionale....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar nga funksionarët përgjegjësi politike dhe profesionale pas konstatimit të KShZ-së për nepotizëm gjatë disa punësimeve. Zaev, njëherësh urdhëroi tërheqjen nga vendet e punës të personave që janë punësuar në këtë formë.
 
“Përfundimisht kemi sistem i cili funksionon, na pëlqeu ose jo neve politikanëve. Anti-korrupsioni dëshmoi se është sistem. Atje kemi komente konkrete se ku nuk ka nepotizëm, por edhe komente konkrete ku ka pasur ndikim ose nepotizëm. Si kryetar i qeverisë urdhëroj institucionet e qeverisë dhe personat që janë punësuar në atë formë menjëherë t’u ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe të tërhiqen mbrapa. Ndërkaq ndaj funksionarëve kërkoj përgjegjësi profesionale dhe politike”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Komisioni Anti-korrupsion ditë më parë ka konstatuar elemente nepotizmi gjatë punësimit të familjarëve të funksionarëve. Në mesin e tyre janë punësimet e deputetit të LSDM-së, Aleksandar Kirackovski, deputetes, Mira Stojçevska, ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, deputetit, Kostadin Kostadinov, dhe ministrit të kulturës, Asaf Ademi.
 
Kryeministri Zaev tha se ligji ndalon shkarkim të ministrave deri më 5 maj. Ligji parandalon edhe emërime të reja. Pas kësaj date nuk  përjashtohet mundësia e ndërrimeve kadrovike. Këtë e ka pohuar edhe zëvendëskryeministrja, Radmilla Sheqerinska. Sipas saj, ndërrimet nuk do të kufizohen vetëm me përbërjen e qeverisë, por do të përfshijnë edhe nivelet tjera. Pjesa e parë e ndryshimeve kadrovike do të vijë me propozim të kryeministrit Zaev. 
 
MERAL ISMAILI