Maqedoni

Sereqi: Për vizitën e Papa Françeskut në Shkup, protokolli anashkalon katolikët shqiptarë

26.04.2019 16:01

Më 7 maj, Maqedoninë e Veriut e viziton Papa Françesku...

Vizita e tij vlerësohet si kontribut drejt paqes rajonale dhe përforcimit të kohezionit ndëretnik. Për qytetarët e vendit e sidomos për besimtarët katolikë, kjo vizitë paraqet nder, krenari dhe kënaqësi të veçantë. Por, edhe në këtë ngjarje të rëndësishme anashkalohen katolikët shqiptarë.
 
Anton Sereqi, kronisti i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, tregon se protokolli nuk ka paraparë të ftojë asnjë përfaqësues të komunitetit katolik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kjo nuk është e rastësishme, pasi po tentohet asimilimi i shqiptarëve katolikë, me vet faktin që tashmë katolikët shqiptarë meshën nuk mund ta dëgjojnë në gjuhën e tyre amtare, për më shumë se njëzet vite. 
 
“Njëzet vite jemi duke u munduar që ta sjellim një prift shqiptar, këtë e kam thënë shumë herë. Sidomos pasi që ra fjala t’i falënderohem programit të dytë në gjuhën shqipe të Televizionit të Maqedonisë, që na jep mundësinë që ta shprehim mllefin që kemi ne besimtarët katolikë, se nuk kemi një prift shqiptar, i cili praktikisht është edhe bariu i të gjithë besimtarëve. Prandaj kemi edhe komentime nga ana e katolikëve shqiptarë, kemi largime prej kishës, sepse nuk dëgjohet fjala e Zotit në kishë në gjuhën amtare. Prandaj mendojmë se kjo është në favor të asaj që mos të tregohet që shqiptarët katolikë janë edhe në Maqedoni”,- deklaroi kronisti i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Anton Sereqi.
 
Megjithatë, sipas tij, vizita e Papës është e rëndësishme jo vetëm për katolikët shqiptarë apo katolikët në Maqedoni në përgjithësi, por paraqet  nder të madh për tërë vendin.
 
ERSAN PAJAZITI