Maqedoni

Nepotizmi, djali i deputetes Stojçevska dorëhiqet nga ELEM-i

26.04.2019 18:04

Djali i deputetes së LSDM-së Mira Stojçevska, Viktor Stojçevski, iu përgjigj pozitivisht thirrjes së kryeministrit Zaev...

Djali i deputetes së LSDM-së Mira Stojçevska, Viktor Stojçevski, iu përgjigj pozitivisht thirrjes së kryeministrit Zaev për t’u dorëhequr nga vendi i punës. Viktor Stojçevski në profilin e tij në facebook ka shkruar se të martën do të japë dorëheqje nga vendi i punës në ELEM, siç shprehet, për arsye morale, pasi KShZ konstatoi elemente nepotizmi gjatë punësimit të tij.
 
“Dua të informoj opinionin se unë si gjeodet i diplomuar në fakultetin e ndërtimtarisë në Shkup, i vetëdijshëm për njohuritë dhe aftësitë e mia, kam kapacitet të punoj në cilëndo kompani të sektorit privat dhe shtetëror ku do të kërkohej një gjeodet. Jam në përfundim të studimeve master në Fakultetin e ndërtimtarisë dhe kam për qëllim t’i përkushtohem karrierës time profesionale. Për arsye morale të martën do ta deponoj dorëheqjen time”,- ka shkruar Stojçevski.
 
Për Stojçevskin, Komisioni Anti-korrupsion ka konstatuar se drejtori i ELEM-it e ka punësuar atë sipas përzgjedhjes së tij personale.
 
Përpos djalit të deputetes së LSDM-së, Komisioni Anti-korrupsion, elemente nepotizmi ka konstatuar edhe në 8 raste të tjera nga gjithsej 18 që ka shqyrtuar. Përmenden edhe familjarë të ministrave të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe kulturës, Asaf Ademi, si dhe deputetëve të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski dhe Kostadin Kostadinov.
 
Deputeti, Aleksandar Kiracovski, dje kumtoi se nga vendet e punës tërhiqen motra e tij dhe nëna e bashkëshortes së tij.
 
MERAL ISMAILI