Data për negociata e RMV dhe Shqipërisë, Han: Shtyrja mund të ketë “pasoja dramatike”

27.04.2019 14:06

Eurokomisari për.... zgjerim Johanes Han, ka paralajmëruar shtetet anëtare të BE-së

Eurokomisari për zgjerim Johanes Han, ka paralajmëruar shtetet anëtare të BE-së se anulimi i sërishëm i negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë do të kishte “pasoja dramatike” për mbarë rajonin.

Pas porosive që arritën nga Parisi dje se vendi mbetet i rezervuar për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor të këtij viti, Han në një intervistë për Agjencinë Evropa, ka paralajmëruar se në pyetje është kredibiliteti i BE-së dhe stabiliteti i rajonit. 

Ai përkujton se Maqedonia e Veriut veçmë dhjetë vite pret fillimin e negociatave, të bllokuar për shkak të kontestit me Greqinë.

“Tani kur ky problem është zgjidhur duke iu falënderuar guximit politik dhe vendosmërisë së dy liderëve dhe kur kemi konstatuar progres të shkëlqyeshëm në reformat e brendshme do të ishte shumë zhgënjyes nëse hapja e negociatave qasëse përsëri anulohet”, ka thënë komisari Han.

Ai megjithate është shprehur i bindur se shtetet anëtare do të sjellin “vendimin e drejtë” si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë e cila sipas tij, poashtu shënon progres të mirë reformues, veçmas në gjyqësi. 

Han i cili nuk do të merr pjesë në Samitin joformal në Berlin të hënën kushtuar Ballkanit, pasi zgjerimi nuk është në agjendë, paralajëmron se BE dhe vendet skeptike duhet të kenë kujdes të mos e lënë pas këtë politikë ndaj rajonit.

“I përshëndes përpjekjet e presidentit Makron të forcohet politika e jashtme dhe e sigurisë së BE-së por ajo duhet të fillojë me fqinjët tonë, Ballkanin perëndimor, para shteteve konkurrente si Rusia, Kina dhe Turqia që nuk janë të interesuar për vlerat dhe normat evropiane”, ka thënë Han.

Franca dhe Gjermania të hënën duan që shteteve të rajonit t’ua tregojnë shembullin e tyre të pajtimit dhe tejkalimit të kontesteve, por komisari për zgjerim Han kujton se ekziston shembulli më i ri që vjen nga vetë rajoni, zgjidhja e kontestit tre dekadësh të emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. (Sedat Selimi, TVM2)