Rusia i reagon SHBA-së për Venezuelën, kundërshton sanksionet ndaj kryediplomatit
Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuar për “politika të shantazhit”.....

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuar për “politika të shantazhit”, pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj ministrit të Jashtëm të Venezuelës, Jorge Arreaza, si pjesë e përpjekjeve për të detyruar presidentin e kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro që të largohet nga pushteti.
“Ne nxisim Shtetet e Bashkuara që të respektojnë ligjin ndërkombëtar, t’i japin fund politikës së shantazhit dhe të ndalojnë provokimin e tensioneve në Venezuelë”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Jashtme ruse.
Aty po ashtu thuhet se “Uashingtoni vazhdimisht ka refuzuar negociatat si mundësi për të zgjidhur problemin”.
Rusia së bashku me Iranin, Kinën dhe Kubën janë në mesin e vende që mbështesin socialistin Maduro, ndërkaq, Uashingtoni dhe mbi 50 shtete të tjera, po mbështesin presidentin e vetëshpallur, Juan Guaido.
Sipas sanksioneve të reja, SHBA-ja do të bllokojë asetet e ministrit Arreaza dhe shtetasit amerikanë ndalohen që të bëjnë ndonjë marrëveshje me këtë diplomat të Venezuelës.
Në listë të sanksioneve amerikane më 26 prill është futur edhe gjyqtari Carol Padilla, i cili është shprehur kundër liderit opozitar, Guaido.
Nicolas Maduro, i cili erdhi në pushtet më 2013, kishte bërë betimin për mandatin e dytë në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve të mbajtura në maj të vitit 2018, të cilat u bojkotuan nga opozita.
Keqpërdorimet në zgjedhjeve, çuan në protesta masive të qytetarëve në Venezuelë.
