Muça, po dëmtohen hapësirat e gjelbëra në Çair
Kohëve të fundit Ndërmarrja Publike "Parqet dhe Gjelbrimet" ka ndërmarrë disa aktivitete për rregullimin e hapësirave të gjelbëra....

Kohëve të fundit Ndërmarrja Publike "Parqet dhe Gjelbrimet" ka ndërmarrë disa aktivitete për rregullimin e hapësirave të gjelbëra në kryeqendër, përfshi edhe komunat e Çairit dhe Butelit. Por ka edhe raste kur të njejtat dëmtohen nga persona të pa ndërgjegjshëm, qoftë me shkuljen e luleve dhe fidaneve, apo me parkimin e veturave në hapësira të gjelbëruara në Çair.
Kompetentët ankohen sepse kjo papërgjegjësi e shfaqur qëllimisht po dëmton dhe punën e tyre, sepse pjesa dërrmuese e kohës dhe mjeteve duhet të harxhohen për hapësirat tek të cilat është punuar paraprakisht dhe më pas të njejtat janë shkatërruar, në vend që të ndodhë e kundërta.
“Trendi i prishjes së hapësirave të gjelbërimit trendi i shkuljes së drunjëve dhe luleve është shpeshtuar. Ne kemi reaguar menjëherë për riparimin e atyre dëmeve, por fatkeqësia është se ne duhet të fokusohemi në ngritjen e hapësirave të reja të gjelbëra, ndërsa ne duhet ta anashkalojmë atë punë dhe riparojmë atë ku është bërë dëm” – tha Drejtori i NP “Parqe dhe gjelbërime”, Ardijan Muça.
Drejtori Muça thekson edhe problemin e parkimit të veturave në hapësira të gjelbëra, nga shoferë të papërgjegjshëm.
Ai kërkon ngritje të vetëdijes dhe përgjegjësisisë ndaj hapësirave të pastra dhe të gjelbëruara, duke shtuar se ka pasur raste kur i është dashur që në situate të ciaktuar të reagojë edhe personalisht.
“Këtu ku jemi një dit kishte një reagim timin pasi kanë hyrë me vetura për të kaluar në parking duke kaluar sipër parkut. Kjo nuk është normale pasi sado që të mundohemi të ngrisim hapësira të gjelbërimit, dikush pa fije turpi hyn me veturë midis gjelbërimit” – shprehet Muça.
MEMETI, U VODHËN FIDANET PARA SH.F PENKO
Ditë më parë lule dhe fidane janë mbjellur edhe në oborrin e shkollës fillore “Petar Zdravkovski Penko” në komunën e Butelit, por persona të pa ndërgjegjshëm i kanë shkulur fidanet e mbjellura në hyrje të shkollës. Këtë akt e dënon drejtori i kësaj Shkolle, Enis Memeti.
“I mbollëm fidanet dhe lulet. Për fat të mirë lulet i kemi mjellur në oborrin brenda shkollës, të gjitha fidanet i kanë vjedhur të nesërmen nuk i kemi pasur fidanet. Kjo nuk di është një dukuri shum e keqe, ta vjedhësh një fidan, tragjedi për këtë popull” - shprehet Drejtori i SH.F “Petar Zdravkovski – Penko”, Enis Memeti.
Qytetarët thonë se sëbashku me autoritetet komunale duhet të kujdesen për hapësirat e gjelbërta
“Këtu më mirë më nuk ka se si të jetë, por njerëzit duhet të kujdesen më shumë. Unë kam pa edhe prej grave tona duke i hequr lulet, mandej nuk ka edhe rojtar këtu, po e mirëmbajnë deri diku por parkimi i makinave është”.
”Ne si qytetar jemi pa edukatë, duhet të ruhet gjelbërimi, ambienti natyror. Unë vij këtu shpesh, komuna shumë në rregull po punon”.
“Së pari qytetarët nuk janë në rregull, mandej këto të parkut duhet të kenë më shumë kujdes, ky park gjithmonë ka pasur rojtar sot nuk ka rojtar, lulet i kanë mbjellur, fëmijët lozin aty” – u shprehën disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Dy drejtorët Muça dhe Memeti theksojnë se për hapësirat e gjelbëra duhet të kujdesen vetë qytetarët sepse ato kanë rëndësi të dyfishtë, si në aspektin estetik ashtu edhe në atë shëndetësorë. (Gyltene Sinani, TVM2)
