Mustafaj për protestat e opozitës: Në pikën kur nuk mund të bëjë me opozitë, ka të drejtë për bojkot, jo për dhunë
Në një intervistë për TVM2....

Të vështirë dhe pa shpresë për zgjidhje e sheh situatën në Shqipëri, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1990, ish-ministri i Jashtëm në kohën e qeverisë së Sali Berishës, Besnik Mustafaj.
Në një intervistë për TVM2, Mustafaj, ish-diplomat e shkrimtar, e sheh opozitën të vendosur me shpatulla pas murit, ndërsa kryeministrin Edi Rama, pa shenja gatishmërie për dialog.,
“Opozita eshte me shpatulla pas murit. Ka shkuar në një pikë kur nuk ka më mundësi për të bërë opozitë. Mazhoranca, e kryesisht kryeministri është refraktar totalisht, pa asnjë shenjë për të vendosur një urë komunikimi për dialog, për të vendosur për një zgjidhje politike. Mua nuk më pëlqen që opozita e përjashton mundësinë e dialogut. Dialogu nuk është një formë e përjashtuar në demokraci, sado i keq të jetë kundërshtari. Ne kemi pasur në vitin 1991 Ramiz Alinë përballë, ne kemi bërë dialog” – tha Besnik Mustafaj për TVM2.
Mustafaj shkon edhe më tej kur thotë se Rama po tenton të fabrikojë opozita, pasi ka frikë.
“Tentativa që bën ai për të fabrikuar opozita janë veç shprehje e dëshpërimit dhe paaftësisë së tij për ta lexuar realitetin. Pra është një pikë e vdekur, është pikë shumë delikate jo vetëm për stabilitetin politik të vendit por edhe për zhvillimin politik të vendit” – shprehet Mustafaj.
Çelësi i zgjidhjes, sipas z.ish-zyrtarit të lartë të Partisë Demokratike, është dialogu, në të cilin opozita duhet të ulet duke vendosur kushte.
“Opozita duhet të tregojë maturi, jo të përjashtoje idenë e dialogut. Ta mbajë në vemdneje mundësinë e dialogut, por të përcaktojë kushte në të cilat do të bëhet ky dialog” – thotë Besnik Mustafaj.
Mustafaj e sheh të vështirë parashikimin e asaj që do të ndodhë në zgjedhjet e 30 qershorit, por i sugjeron Partisë Demokratike një qëndrim kundër dhunës.
“Unë nuk do isha dakord me asnjë dhunë. Do isha kritizeri i parë i dhunës në zgjedhje. Nuk është dhuna zgjidhje në demokraci. Ata mund ta bojkotojnë është në të drejtën e tyre politike, por përdorimi i dhunës nuk është më politikë” – deklaron Mustafaj.
MUSTAFAJ, INTEGRIMIN E PENGON KORRUPSIONI JO PROTESTAT
Më optimist, z.Mustafaj duket kur flet për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai thotë se reformat e duhura janë firmosur edhe nga opozita dhe se integrimin e pengon krimi dhe korrupsioni dhe jo protestat e opozitës.
“Nuk e cenon sepse reformat që ka kërkuar Bashkimi Europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare janë votuar nga Partia Demokratike, reforma në drejtësi e reforma të tjera. E cenon paksa imazhin, por çelja e negociatave nuk jepet në bazë të imazhit. Ajo çka e cenon për mua rëndë çeljen e negociatave është niveli shumë i lartë i korrupsionit, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar” - shprehet ish zyrtari i lartë i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj.
Partitë e vogla do t’i kërkojnë të martën Presidentit të Republikës Ilir Meta që të ndërmjetësojë një dialog me mazhorancën.
Partia Socialiste e pranon parimisht, por me kusht që të mos cenohet Kushtetuta. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin zhvillimet politike, kur kryedemokrati Basha ka thënë se më 30 qershor nuk do t’i lejojë zgjedhjet e nga ana tjetër kryeministri as që dyshon se ato do të mbahen sipas parashikimeve në Kodin Zgjedhor. (Luljeta Ndoka, TVM2)
