Futboll

Xhemaili dhe Pandev arrijnë në Stamboll

01.09.2014 15:15

Dy futbollistët e ri të skuadrës turke të Gallatasarajit, Blerim Xhemaili dhe Goran Pandev, gjatë ditës së sotme kanë zbarkuar në Stamboll...

Dy futbollistët e ri të skuadrës turke të Gallatasarajit, Blerim Xhemaili dhe Goran Pandev, gjatë ditës së sotme kanë zbarkuar në Stamboll, ku deri në fund të ditës, pritet edhe zyrtarisht të vënë firmën për bashkëpunim me ekipin nga Bosfori.

Dy lojtarët me prejardhje nga Maqedonia, Xhemaili nga Bogovina e Tetovës dhe Pandevi nga Strumica, në aeroportin e Stambollit janë pritur nga Mert Çetin, ndihmës menaxher te skuadra turke, ndërsa më pas, menjëherë kanë kaluar në kampin e kampionit të shumëfishtë të Turqisë.

Të dy lojtarët, bashkë me përforcimin tjetër, turkun Tarëk Çamdall, do të nënshkruajnë kontratën me Gallatasarajin, menjëherë pasi ti kalojnë ekzaminimet mjekësore.

Të tre futbollistët janë përfocim I madh për skuadrën e italianit Çezare Prandeli, e cila edhe sivjet do të luaj në Ligën e Kampionëve, me ç`rast është gjetur në një grup shumë të vështirë, me Arsenalin, Borusia Dortmundin dhe Anderlehtin e trajnerit shqiptar Besnik Hasi. 

MUSTAFA ADEMI