Maqedoni
Ademi: RM, e para në rajon e cila aplikon programin e “Kembrixhit”
01.09.2014 15:23
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, në shkollën fillore “Mirce Acev”, në Komunën e Gjorce Petrovit...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, në shkollën fillore “Mirce Acev”, në Komunën e Gjorce Petrovit, bashkë me zëvendësin e tij, Spiro Ristovskin, promovuan librat e rinj në lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore për nxënësit e klasës së parë deri në të tretën.
Me këto libra, për herë të parë do të mësojnë 19 mijë nxënës, që sot për herë të parë u ulën në bankat e shkollës, në mbarë vendin.
“Sot, me fillimin e vitit shkollor, risia më e madhe është që për herë të parë, në sistemin arsimor, në Republikën e Maqedonisë do të aplikohen edhe librat nga programi i “Kembrixhit” dhe në këtë mënyrë RM bëhet vendi i parë në regjion që e aplikon programin e “Kembrixhit”, me këtë konsiderojmë që instalojmë një vlerë shtesë në arsimin në RM dhe për këtë vit do të jetë për klasat e para, të dyta dhe të treta, matematika dhe lënda natyrore. Vitin e ardhshëm vazhdojmë deri në klasën e gjashtë dhe gjithë projekti do të rrumbullakoset kur do të përfundojmë me klasat e nënta pas dy viteve”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi, po ashtu potencoi se librat janë përpunuar ndaj bazës së programeve mësimore të Qendrës Ndërkombëtare për Programe Mësimore “Kembrixh”, të adaptuar në veçoritë nacionale të Maqedonisë.
Krahas kësaj, morën pjesë edhe në lëshimin e përdorimit të objektit të ri të shkollës fillore “Rajko Zhinzifov”, të ndërtuar me mjetet nga Qeveri e Republikës Popullore të Kinës.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
