Përmbytje rekorde në Kanada, autoritetet zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme

29.04.2019 14:56

Niveli i lumenjve në Kanada ka arritur maksimumin...

Niveli i lumenjve në Kanada ka arritur maksimumin duke e tejkaluar rrezikun e dy viteve më parë  dhe  situate nuk pritet të përmirësohet të paktën edhe në tre ditët në vijim. Kërcënimi i përmbytjeve ka bërë që qeveria kanadeze të zgjasë  gjendjen e jashtëzakonshme në Montreal dhe Otava deri të enjten.

Autoritetet presin që niveli i ujërave të ngrihet edhe për 50 centimetra. Në qytetin Gatineau një prurje e tillë e lumenjve nuk ishte parë që prej 100 vitesh.

5.500 vullnetarë dhe 780 ushtarë po punojnë për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. 60 shtëpi janë evakuuar nga këto forca, banorët e 15 shtëpive të tjera në këtë zonë, janë evakuuar vullnetarisht para se moti të përkeqësohej në këto nivele. Moti i lig ka përfshirë 14 komuna kanadeze.

Miliona thasë me rërë janë vendosur rreth shtretërve të lumenjve , janë mbyllur autostrada, rrugë lokale dhe ura që rrezikojnë të mbulohen nga ujërat. Zyrtarët gjithashtu po monitorojnë nivelet e ujit në Liqenin e Dy Maleve, në  perëndim të Montrealit, diga e të cilit rrezikoi të çahej mbrëmë, duke detyruar autoritetet të bëjnë evakuimin emergjent të 2500 shtëpive.

Reshje edhe më të fuqishme priten të mërkurën dhe infrastruktura e instaluar pas përmbytjeve të 6 viteve më parë, tashmë duket se nuk do të jetë në gjendje të durojë edhe një prurje të re të madhe të ujërave.