Botë
Refugjatët Rohingya, 730,000 njerëz në kampin më të madh në botë
29.04.2019 15:15
Në kampin e refugjatëve në Kutupalong, rreth 730,000 refugjatë jetojnë në lagjet e ngushta në 16 zona të ndryshme....

Ky është kampi më i madh me refugjatë në botë. Myshara është drejtuesja 13 vjeçare e grupit të fëmijëve të përfshirë në programin shëndetësor psikosocial të udhëhequr nga UNHCR. Këtu fëmijëve u ofrohet arsim joformal e jo ndonjë program i studiuar mësimor. Por, edhe kjo është mjaft për ta.
Janë rreth 540,000 fëmijëve refugjatë Rohingya nën moshën 12 vjeç, më shumë se gjysma e tyre nuk kanë fare arsimim, vetëm pak adoleshentë shkojnë në shkollë. Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatë, Filipo Grandi, qëndroi në këtë kamp ku u shoqërua gjatë gjithë kohës nga vajza që një ditë dëshiron të bëhet mësuese.
"Unë qëndrova nja dy orë me Mysharan. Ajo më mori vetëm në klasën e saj, në shkollën e saj. Ajo është një lidere e vërtetë. Ne duhet të bëjmë më shumë për këta fëmijë dhe familjet e tyre. Myshara, kjo vajzë e re Rohingya, kjo vajzë refugjate, provon se edhe refugjatët më të privuar, më të diskriminuar dhe të pikëlluar, nëse u jepet mundësia, mund të shkëlqejnë e të përparojnë",- deklaroi komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi.
Ashtu si burrat e tjerë Rohingya, babai i saj nuk mund të punojë ligjërisht. Familja e saj mbijeton falë ndihmës ndërkombëtare. OKB-ja kërkon 920 milionë dollarë amerikanë për programet, të cilat përfshijnë asistencën ushqimore, kujdesin shëndetësor, strehimin dhe infrastrukturën, arsimin dhe mbrojtjen dhe shërbimet ligjore. Vetëm 16% e kësaj ndihme është mbledhur. Grandi kërkon më shumë ndihmë për t’i dhënë Mysharës dhe refugjatëve të tjerë në këtë kamp, një shans të ri për jetë.
REJHAN BUSHI METAJ
