Botë

Rusia kërkon armëpushim të ri me Ukrainën

01.09.2014 15:30

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, apeloi për të kthyer vendosjen e një armëpushimi në boshtin e negociatave të sotme...

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, apeloi për të kthyer vendosjen e një armëpushimi në boshtin e negociatave të sotme, të parashikuara të mbahen në kryeqytetin bjellorus, Minsk, mes zyrtarëve ukrainas, atyre rusë, separatistëve e monitoruesve ndërkombëtarë.
 
Për shefin e Diplomacisë ruse, është Kievi ai që duhet të kalojë në veprim, duke tërhequr trupat nga pozicionet ku mund të dëmtojnë popullsinë civile. 
 
“Shpresojmë që bisedimet e Minskut të fokusohen te arritja e një armëpushimi të menjëhershëm e të pakushtëzuar. Nuk do të ketë asnjë ndërhyrje ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Ne jemi për zgjidhjen paqësore të kësaj krize të rënd”- deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
 
Takimi i të ashtuquajturit “Grupi i Kontaktit” në Minsk, përfshin dhe përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
 
Në vigjilje të bisedimeve, shefi i Kremlinit, Vlladimir Putin, deklaroi se duhet diskutuar mundësia e “shtetësisë” për Ukrainën lindore, për t’u siguruar, siç tha ai, se do të mbështetet interesi i banorëve lokal. 
 
Komentet e Putinit erdhën pas ultimatumit të vendosur ndaj Moskës nga Bashkimi Evropian, për ta ndryshuar kursin në lidhje me Ukrainën, në të kundërt do të përballen me sanksione të reja edhe më të ashpra. 
 
SANIJE KASAMI