Maqedoni
ASh: Vendosja e flamurit shqiptar nuk paraqet shkelje ligjore
30.04.2019 11:47
Lidhur me rastin në Kalanë e Ohrit ka reaguar Aleanca për Shqiptarët...

Lidhur me rastin në Kalanë e Ohrit ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e cila shpreh shqetësimin e saj për mënyrën e reagimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Ohër. Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar, sipas informacioneve që kemi, aspak nuk ka pasur për qëllim provokimin e dikujt, por është vendosur për koreografi të grupit të valltarëve nga Shoqata Kulturore Arbëreshe.
Vendosja e flamurit kombëtar shqiptar në Kalanë e Ohrit nuk paraqet as shkelje ligjore e as rrezik për askënd, aq më pak kur dihet se në Maqedoninë e Veriut shqiptarët përbëjnë 1/3 e popullatës dhe janë popull autokton.
“Për ne si Aleancë shqetësues është fakti se kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe simbolet e tyre kombëtare me keqardhje mund të konstatojmë se aspak nuk ka ndryshuar logjika dhe mentaliteti diskriminues që ka qenë karakteristikë e sistemit komunist jugosllav dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ky incident aspak nuk e ndihmon vendin në përcaktimin e sajë euro-atlantik dhe prish imazhin e shtetit aspirant për anëtarësim në NATO dhe BE”.
