Kulturë
Konkurs për financimin e projekteve me karakter nacional
01.09.2014 15:59
Ministria e Kulturës, ka shpallur konkurs për financimin e projekteve kulturore me interes nacional...

Konkursi për herë të parë është hapur me një shtatorë dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, e jo si deri më tanë në qershor, sqaroi në pres-konferencën e sotme ministrja e Kulturës, Elizabeta Kamçevska-Milevska.
Për shkak të risive sa u përket kushteve të aplikimit, konkursi këtë vit do të zgjasë 45 ditë, ndërsa vitet e ardhshme ai do të zgjasë 30 ditë, tha ministrja, duke theksuar se konkursi do të jetë i hapur për të gjithë.
“Si edhe deri më tani edhe këtë vit, këto konkurse do të jenë të hapura për të gjithë që aplikojnë me projekt të interesit nacional nga sfera e kulturës dhe ka të bëjë me institucionet lokale, organizatat qytetare, organizatat joqeveritare dhe persona tjerë fizik dhe juridik”- deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska.
Ndërsa anëtari i Komisionit, Ylber Murtezi, apeloi që në konkurs të paraqiten me projektet e tyre edhe shqiptarët.
“Unë do të bëj një apel, meqë vjet hasëm në një problem të vogël, të them ashtu, të gjithë ambasadorëve shqiptarë që janë të emëruar në të gjithë botën, të aplikojnë në Ministrinë e Kulturës me projekte dhe përmenda se ky konkurs do të zgjasë 45 ditë, ideja e projekteve është që shqiptarët e Maqedonisë, që veprojnë dhe frymojnë në kulturën shqiptare, të paraqiten me projektet e tyre, për shembull ta zëmë në Francë, meqë kemi ambasador në Francë dhe atje ku janë të emëruar, pse teatri shqiptar të mos paraqitet në Francë, pse një ansambël si “Ibe Palikuqi” të paraqitet diku në Turqi dhe një ekspozitë të paraqitet në Nju Jork”- deklaroi anëtari i Komisionit, Ylber Murtezi.
Në përputhje me ndryshimet e Ligjit të Kulturës, Ministria do të ketë për obligim të bëjë prezantimin publik të projekteve, që do të realizohen në vitin 2015.
GYLTENE SINANI
