Maqedoni
Ardhmëria e Ballkanit perëndimor, Franca kërkon miratimin e një strategjie konkrete
30.04.2019 13:17
Presidenti francez, Makron, kërkon miratimin e një strategjie konkrete për Ballkanin Perëndimor....

Presidenti francez, Makron, kërkon miratimin e një strategjie konkrete për Ballkanin Perëndimor, ku Franca do të kishte rol më të madh në stabilizimin e 6 vendeve që nuk janë ende anëtare të BE-së.
Franca ka prezantuar strategjinë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor para liderëve të vendeve ballkanike në Berlin. Në dokumentin e bërë publik nga Ambasada franceze potencohet se në rajon shihet përparim i theksuar, por shtohet se sërish janë të domosdoshme reforma që do të mundësonin stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ballkani ende ka konflikte të pazgjidhura (në këtë pjesë potencohet marrëveshja e Prespës si një përparim i theksuar dhe shembull për rajonin).
“Çështjet sociale dhe ekonomike, sundimi i ligjit, çështjet e sigurisë, ndikimet e huaja ende të pranishme në rajon dhe perspektiva e tij euroatlantike janë çështje ku ende duhet të punohet”,- thuhet në strategji.
Në bazë të kësaj, masat konkrete që propozohen janë: Intensifikim të marrëdhënieve politike me vendet e rajonit, zhvillim ekonomik e social përmes Agjencisë franceze për zhvillim, në këtë drejtim në shkurt është nënshkruar marrëveshja me Serbinë priten marrëveshje të ngjashme edhe me 5 vendet e tjera, ndihma nga kjo agjenci në nivel vjetor është 100-150 milion euro. Luftë kundër tregtisë së jashtëligjshme me armë, rrjetit të tregtisë me drogë dhe njerëz dhe përmes koordinimit të ndihmës me bashkësinë ndërkombëtare. Vendosjen e njësive të përhershme të zbulimit në sferën e kriminalitetit. Luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit me mbështetje të platformave për paralajmërimin e përmbajtjeve ilegale në internet. Përforcim të mekanizmit për bashkëpunim operativ për çështje të sigurisë së brendshme. Bashkëpunim shtesë në sferën e kriminalitetit ekonomik e financiar, tregtisë me artefakte që mund të jenë gjithashtu burim financimi për terrorizmin. Ekipe të përbashkëta hetimore nga të gjitha vendet e rajonit. Intensifikim i këmbimit të informatave ushtarake mes vendeve të rajonit. Oferta shtesë për trajnimin e oficerëve nga Ballkani në akademitë ushtarake franceze, mbështetje për kyçjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në misionet paqësore jashtë vendit.
Strategjia franceze ka si qëllim të mbështesë strategjinë nacionale të BE-së për afrimin të Ballkanit perëndimor drejt Unionit. Ajo është përmbushje e aktiviteteve të ndërmarra në kuadër të procesit të Berlinit në të cilin Franca merr pjesë që nga themelimi.
REXHEP QAMILI
