Maqedoni

Anëtarësimi i RMV-së në NATO, Trump dërgon Protokollin për ratifikim në Senat

30.04.2019 13:28

Senati amerikan duhet të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO....

Senati amerikan duhet të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Nga Shtëpia e Bardhë njoftojnë se presidenti Trump tashmë e ka dërguar protokollin në senat, duke potencuar në letrën përcjellëse se Maqedonia e Veriut është partner strategjik i SHBA-ve në sferën e sigurisë dhe anëtarësimi në NATO, është interes strategjik si për aleancën ashtu edhe për ShBA-të.

“Protokolli u nënshkrua në Bruksel më 6 shkurt 2019, në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Palëve të tjera të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Informacioni dërguar Senatit është një pasqyrë e Protokollit të Departamentit të Shtetit. Ratifikimi i plotë i Protokollit për anëtarësim do të lejojë që Maqedonia Veriore të bëhet palë e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe anëtare e  NATO-s.  Siç shpjegohet edhe në raportin mbi pranimin e Maqedonisë së  Veriut  në NATO, i cili u paraqit para Kongresit më 27 mars 2019, Maqedonia e Veriut është një partner i palëkundur i ShBA-ve në sferën e sigurisë dhe nga anëtarësimi i saj në NATO do të përfitojnë drejtpërsëdrejti interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Aleancës së NATO-s. Prandaj kërkoj që Senati të japë pëlqimin e tij. Administrata ime është e gatshme t'ju ndihmojë dhe asistojë në diskutimet tuaja”,- thuhet në letrën e presidentit Trump drejtuar Senatit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)