Maqedoni

Vrasja e trefishtë në Dibër, Prokuroria me aktakuzë kundër tre personave

30.04.2019 15:03

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar parashtroi aktakuzë kundër tre personave...

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar parashtroi aktakuzë kundër tre personave të dyshuar se kanë qenë të involvuar në vrasjen e familjes tre anëtarëshe në Dibër, në gusht të vitit të kaluar. Sipas dëshmive të siguruara pas një hetimi 8 mujor, nga prokuroria akuzojnë të dyshuarën e parë, vajzën e familjes, për veprën penale – vrasje, përderisa dy të akuzuarit e tjerë për ndihmë gjatë kryerjes së veprës.
 
Siç është cekur në kumtesën e Prokurorisë, më 26 gusht të vitit të kaluar, në shtëpinë familjare në Dibër, e akuzuara ka shtënë nga një afërsi e madhe me pistoletë të kalibrit 7,65 mm dhe fillimisht ka privuar jetën e nënës dhe babait të saj, e më pas edhe të motrës së mitur. 
 
Dy të akuzuarit e tjerë me paramendim e kanë ndihmuar në kryerjen dhe mbulimin e veprës penale, thuhet në kumtesë. Ka dëshmi se e  akuzuara, një ditë para vrasjes, ka kontaktuar me telefon e më pas është takuar në Gostivar me të akuzuarin e dytë, ky i fundit ka marrë me qira një automobil dhe së bashku janë nisur drejt Dibrës për t’u furnizuar me armë. Të njëjtën ditë janë takuar në afërsi të Spitalit të qytetit me të akuzuarin e tretë, i cili u ka siguruar pistoletën dhe pesë plumba.
 
Pas vrasjes, e akuzuara është nisur drejt Strugës, ku i ka kthyer të akuzuarit të dytë çelësat e makinës, pastaj me taksi ka shkuar në aeroport në Shkup, prej ku është nisur drejt Italisë. Duke vlerësuar se edhe më tutje janë përmbushur bazat ligjore, prokurori kompetent publik në Gjykatën Themelore në Gostivar ka parashtruar edhe propozim për vazhdim të masës së paraburgimit për personat e akuzuar.
 
ATLI DEMA