Samiti joformal i Berlinit, Merkel: Ballkan stabil dhe bashkëpunues
Perspektiva e përbashkët evropiane e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi për Gjermaninë dhe Francën...

Perspektiva e përbashkët evropiane e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi për Gjermaninë dhe Francën kanë konkluduar në Samitin e Berlinit kancelarja gjermane Merkel dhe presidentit francez Makron pas takimeve me liderët e Ballkanit.
Edhe pse samiti nuk kishte të bëjë me politikën e zgjerimit të BE-së, kancelarja gjermane Merkel megjithatë deklaroi se bashkë me Francën ndajnë përgjegjësi për një Ballkan stabil dhe bashkëpunues. Vlerësuan Marrëveshjen e Prespës të suksesshme, duke e paraqitur si shembull të rrallë për zgjidhjen e konflikteve.
“Mundohemi t’i shohim dallimet e situatave në secilin vend, të shohim se ku na duhet moment special apo përpjekje që të realizohet progres. Gjermania dhe Franca duan së bashku ta bëjnë këtë dhe të tregojmë se e ndajmë përgjegjësinë. Duam të dërgojmë porosi se është interes i përbashkët evropian zhvillimi pozitiv i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne pamë shumë hapa të guximshëm në çështjen e emrit për Maqedoninë e Veriut. Kjo është dëshmi se mund të arrihet zgjidhje për kontestet shumëvjeçare”,- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
MACRON: KEMI STRATEGJI PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Problemet politike dhe sociale, sundimi i ligjit dhe çështja e sigurisë janë problemet të cilat Franca dhe Gjermania do t’i ndjekin për së afërmi në Ballkan, ka thënë presidenti francez Makron. Këto porosi i kanë marrë edhe liderët e Ballkanit Perëndimor në takimet në Berlin.
“Ne duam të ndjekim politikën e stabilitetit në katër qasje kryesore: e para, në stabilitet dhe siguri, iniciativë që kemi filluar tetë muaj më parë; e dyta, duam së bashku të luftojmë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit si dhe migrimit jolegal; e treta, në fushën e mbrojtjes dhe e katërta, në fushën e drejtësisë, pra lufta ndaj krimit ekonomik dhe financiar”,- tha presidenti i Francës, Emanuel Macron.
Shefja për politikë të jashtme dhe siguri, Mogherini, në takime të ndara me liderët e vendeve ballkanike ka potencuar reforma ku vendet aspirante duhet të përparojnë. Po ashtu ka përsëritur se shtetet e rajonit tonë kanë perspektivë evropiane. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
