Prenkoçaj: Më dënuan, por ndjehem krenar
Gjergj Prenkoçaj u dënua me 1100 euro gjobë dhe i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut për 5 vitet e ardhshme....

Gjergj Prenkoçaj u dënua me 1100 euro gjobë dhe i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut për 5 vitet e ardhshme, pasi një ditë më parë ngriti flamurin shqiptar në Kalanë e Ohrit.
Ai vetë nuk e ndjen se ka bërë ndonjë vepër kundërvajtëse, sepse ngritja e flamurit ishte pjesë e xhirimeve të planifikuara në Kalanë e Ohrit në kuadër të aktiviteteve kulturore në përkujtimin të “Valles së Fitores”.
“Jam shumë i emocionuar, më kanë bërë pak presion vërtetë, por ajo nuk më ka penguar aspak sepse e ndjeva veten shumë krenar”,- deklaroi valltari arbëresh, Gjergj Prenkoçaj.
GJYKATA E OHRIT, PRENKOÇAJ SHKELI LIGJIN PËR PËRDORIMIN E FLAMUJVE
Gjykata e Ohrit vendosi në bazë të kërkesës së Sektorit të Punëve të Brendshme të Ohrit për dënim kundërvajtës ndaj Prenkoçajt, me arsyetimin se flamuri shqiptar ka qenë me përmasa më të mëdha se ai maqedonas që qëndronte në Kala.
Sipas Gjykatës së Ohrit, Prenkoçaj ka prishur rendin dhe qetësinë publike duke shpalosur një flamur në muret e kalasë me gjatësi 6 metra dhe lartësi rreth 8 metra, i cili nuk i përmban simbolet e flamurit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Një kundërvajtje e tillë, sipas gjykatës, dënohet në bazë të Nenit 18 të Ligjit për Procedurë Kundërvajtëse. Sipas Ligjit për përdorimin e flamujve, flamuri shqiptar duhet të jetë sa një e treta e përmasave të flamurit zyrtar shtetëror. (Sedat Selimi, TVM2)
