Konferenca e Berlinit, Zaev: Presim valorizimin e reformave nga BE

30.04.2019 18:30

Konferenca për Ballkanin Perëndimor në Berlin....

Konferenca për Ballkanin Perëndimor në Berlin, edhe pse në qendër të vëmendjes kishte kontestin dypalësh Prishtinë - Beograd dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje të pranueshme për të dy palët, Maqedonia e Veriut, përkatësisht Marrëveshja e Prespës, është marrë si model për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe.

Kryeministri, Zoran Zaev, tha se ky rast është frytëzuar për të raportuar para krerëve të vendeve anëtare të BE-së, për reformat dhe gatishmërinë e vendit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për fillimin e negociatave për anëtarësim, edhe pse  konferenca nuk ka pasur për qëllim diskutimin e procesit eurointegrues, apo zgjerimin e BE-së.     

“Udhëzuam se stabiliteti dhe reformat që adresojmë duhet të kuptohen si argumente serioze për vendim pozitiv nga ana e BE-së për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, gjatë verës. Morëm përgjegjësi për veten dhe rajonin. Tani është koha që edhe BE të ndërmarrë hapa të përgjegjshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, që në fakt nënkupton përgjegjësi për popujt e vetë evropianë”,- tha kryeministri i RMV, Zoran Zaev.

ZAEV: U DAKORDUAM TË INTENSIFIKOJMË BASHKËPUNIMIN

Në këtë drejtim është konstatuar rëndësia e arritjes së një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë përsipër që të thellojnë bashkëpunimin, solidaritet dhe unitet.

“U dakorduam që të intensifikojmë aktivitetet për themelimin e zonës ekonomike rajonale, të mbetemi të përkushtuar në procesin e Berlinit dhe të përkrahim nismat për lidhje infrastrukturore, bashkëpunim ekonomik, tregti të lirë dhe këmbim të të rinjve nga rajoni”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, në një brifing me gazetarë ndan bindjen se Këshilli i Evropës, në qershor, do të marrë vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe negociatat do të fillojnë brenda këtij viti. (Shpëtim Nuredini, TVM2)