Deputeti gjerman, Michael Brand: Ballkani në BE, por sipas kushteve tona

30.04.2019 18:52

Pas përfundimit të punimeve të Samitit të Berlinit, Bashkimit Europian....

Pas përfundimit të punimeve të Samitit të Berlinit, Bashkimit Europian i ka ardhur një kritikë nga deputeti gjerman, Michael Brand, politikan i CDU-së,  partisë së kancelares, Angela Merkel, që në një prononcim për “Inforadio” thotë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë është jashtë çdo diskutimi dhe këtë BE-ja duhet ta bëjë të qartë.

“Shefja e politikës së jashtme e BE-së, Mogherini, po flet për ndryshimet e kufijve, e kjo është lojë me zjarrin. Ai që nuk i kundërshton ndryshimet kufitare është bashkëpërgjegjës se në Ballkan mund të nis një luftë e re e nxehtë. BE-ja e ka diskredituar veten atje”,- ka thënë Brand, duke lavdëruar kancelaren Merkel për qëndrimin e saj të qartë se nuk do të ketë ndryshime kufijsh.

Deputeti gjerman ka kritikuar edhe Federica Mogherinin dhe komisionarin, Johannes Hahn, të cilët i ka quajtur të papërgjegjshëm.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian, por sipas kushteve tona. Qëllimi gjithmonë ka qenë evropianizimi i Ballkanit, e jo ballkanizimi i Evropës”,- deklaroi ai.

HAPJA E NEGOCIATAVE, HAHN: BALLKANI DUHET TË MOTIVOHET PËR REFORMAT

Ditë më parë eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, tha se mospranimi i progresit të arritur objektiv nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të kishte pasoja dramatike për vendet kandidate dhe gjithë rajonin.

“Çfarë motivimi do të kenë vendet nga Ballkani perëndimor që të zbatojnë reformat e rënda apo t’i zgjidhin kontestet bilaterale siç është ajo mes Serbisë dhe Kosovës, nëse nuk mund të bëjnë hapa të mëtejshëm në rrugën drejt BE-së”,- deklaroi Hahn në intervistën e tij të fundit për "Handellsbllast" të dhënë para takimit në Berlin.

Eurokomisioneri u shpreh i bindur se Komisioni Evropian nga fundi i muajit maj do të rekomandojë hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse, sipas tij,  Shkupi dhe Tirana e kanë merituar hapjen e negociatave. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)