Meta takon aleatët, kërkohet rivendosja e dialogut pushtet-opozitë
Presidenti, Ilir Meta, ka pritur në një takim kryetarët e 5 partive aleate të demokratëve....

Presidenti, Ilir Meta, ka pritur në një takim kryetarët e 5 partive aleate të demokratëve. Ata i kanë kërkuar kreut të shtetit organizimin e një tryeze dialogu mes mazhorancës dhe opozitës, kërkesë e cila ka gjetur mbështetjen e presidentit. Meta mësohet të ketë thënë se ka paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.
Për këtë kreu i shtetit Meta ka konfirmuar vijimin e kontributit të tij me të gjitha format dhe mundësitë, për të kërkuar reflektimin e të gjithëve. Pas takimit, ne emër të partive aleate, kryetari i Partisë Republikane foli për atë që ishte diskutuar me presidentin Meta.
Ndërkaq, Partia Socialiste në pushtet ka firmosur sot koalicionin me 23 parti politike, të pagëzuar me emrin “Aleanca për Shqipërinë”.
Numri dy i kësaj partie, Taulant Balla, përsëriti qëndrimin se data e zgjedhjeve nuk ndryshon.
Afati i parashikuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e partive politike për zgjedhjet e 30 qershorit, ka skaduar. (Luljeta Ndoka, TVM2)
