VMRO-DPMNE, akuza për mbushje kutish në Kërçovë
VMRO-DPMNE akuzon pushtetin për mbushje të kutive të votimit në Zajaz të Kërçovës....

VMRO-DPMNE akuzon pushtetin për mbushje të kutive të votimit në Zajaz të Kërçovës. Këtë, sipas tyre, e vërteton numri shumë i lartë i votuesve në Zajaz pas orës 15:00. Nga kjo parti thonë se ky veprim jolegal duhet dënuar dhe për këtë paralajmërojnë se do të ngrenë padi penale në Prokurori.
“Në vendvotimin 0816, në vendbanimin Zajaz të komunës së Kërçovës, gjatë periudhës prej orës 15 deri në orën 17, gjithsej kanë votuar 297 persona, apo tre herë më shumë se sa numri i votuesve deri në orën 15:00. Sipas këtyre të dhënave, del se për dy orë kanë votuar 297 votues, apo në përqindje, në çdo 24 sekonda ka votuar një person, që fizikisht është e pamundur, duke pasur parasysh procedurën e votimit në zgjedhje”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
LSDM: VMRO PO KËRKON ALIBI PËR HUMBJEN
Nga LSDM reagojnë duke thënë se VMRO-DPMNE ende nuk mund të pranojë të vërtetën që kandidati i tyre ka humbur në rrethin e parë, madje do të humbasë edhe më bindshëm në rrethin e dytë të zgjedhjeve, prandaj përpiqet të kërkojë alibi për humbjen.
“Në zgjedhje korrekte, demokratike dhe të lira, qytetarët mposhtën destruktivitetin e Siljanovskës dhe VMRO-DPMNE-së dhe treguan se nuk duan të kthehen prapa në të kaluarën e errët, por do të vazhdojnë bashkë përpara. Shteti, institucionet, organizuan proces zgjedhor të qetë, demokratik dhe korrekt, kurse dëshmi për këtë janë edhe vlerësimet në raportet e organizatave relevante vendore dhe të huaja, të cilat përcjellin procesin zgjedhor”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)
