Maqedoni

MPB zbardh incidentin e armatosur në Haraçinë

01.09.2014 16:35

Policia ka zbardhur incidentin e ndodhur dje në Haraçinë, ku me armë zjarri janë plagosur katër persona, mes të cilëve edhe një grua...

Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski, ka deklaruar se Policia ka arrestuar disa nga të dyshuarit dhe gjurmon pas të tjerëve. 
 
“Pas masave të ndërmarra, në tërësi është pastruar incidenti dhe janë identifikuar pjesëmarrësit, ku tashmë janë arrestuar tre nga personat e involvuar, ndërsa për tre personat e tjerë për të cilët dyshohet se kanë qenë të involvuar në përleshje, për momentin gjurmohet. Pas dokumentimit të tërësishëm të rastit, kundër personave që është dëshmuar se kanë marrë pjesë në incident do të ngrihet padi penale për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentim”'- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
 
Kotevski, ka treguar se mbrëmë rreth orës 16 e 30, derisa dy nga vëllezërit e plagosur kanë qëndruar në një lokal në lagjen Singeliç, kanë vërejtur se përcillen vazhdimisht nga një bashkëfshatar i tyre, me të cilin nuk kanë pasur raporte të mira.
 
Më pas, viktimat janë larguar me automjetin e tipit “Mercedes” drejt fshatit Haraçinë, ku u është ndalë rruga nga dy automjete të tipit “Golf” dhe “Opel Zafira”, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri drejt automjetit “Mercedes”, drejtuesit e të cilit kanë arritur të shkojnë deri në shtëpinë e tyre në Haraçinë, ku kanë njoftuar edhe dy vëllezërit e tjerë për rastin.
 
Nga shtëpia kanë dalë familjarë, të cilët ndaj sulmuesve kanë gjuajtur me gurë. Por, autorët kanë gjuajtur me armë zjarri dhe kanë plagosur rëndë katër persona. Tre nga të lënduarit janë të hospitalizuar në Spitalin e Qytetit “Shën Naum Ohridski”, ndërsa njëri në Qendrën Klinike-Shkup.
 
MEFAIL ISMAILI