Botë

Maduro: Puçistët nuk do të ngelin pa u ndëshkuar

01.05.2019 12:27

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se tentativa për grusht shtet në vendin e tij nuk do të mbetet pa u ndëshkuar...

Komentet e tij erdhën pasi kreu i opozitës, Juan Guaido, publikoi një video në Twitter, në të cilën, ai shihej së bashku me një kontigjent të vogël të personelit ushtarak të uniformuar dhe automjete të blinduara, duke bërë thirrje për kryengritje. Duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për grusht shteti, Maduro tha se prokurorët janë duke e hetuar incidentin. Maduro falënderoi ushtrinë për, siç tha ai, shtypjen e puçit, besnikërinë dhe sjelljen e disiplinuar. Ndërkohë, Guaido ka bërë thirrje për protesta të reja në ditën e 1 Majit kundër qeverisë. 
 
Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita. Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.