Maqedoni
Ministri Neziri në shënimin e “Ditës së minatorit”
01.09.2014 16:37
Me rastin e “Ditës së minatorëve”, ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri...

Me rastin e “Ditës së minatorëve”, ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, sot ka ndarë mirënjohje për minatorët më të mirë. Ceremonia solemne u organizua në Kompaninë “Renova” në Xhepçishtë të Tetovës. Pronari i kësaj Kompanie, Shefki Idrizi, falënderoi ministrin Neziri që zgjodhi Kompaninë “Renova” për të nderuar minatorët e veçantë.
“Kam nder që sot tu shoh këtu në këtë ditë të madhe të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, ku vlerësoj se kjo është një ditë e veçantë ku vlerësohen njerëzit e veçantë, sepse duart e minatorëve janë ato që u japin njerëzve gjithçka rreth zhvillimit të madh të ekonomisë. Dua tu falënderoj për prezencën dhe organizimin që u bë në oborrin e Kompanisë “Renova””- tha pronari i Kompanisë “Renova”, Shefki Idrizi.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, theksoi se minatorët paraqesin resurs shumë të çmuar njerëzor dhe për këtë shkak Ministria e Ekonomisë është e detyruar që tu sigurojë kushte më të mira për punë. Ministri Neziri, po ashtu theksoi se minierat janë krenaria jonë kombëtare, duke vlerësuar lart punën e Kompanisë “Renova”.
“Nuk ka dyshim se minierat tona janë krenaria jonë, midis tyre është edhe nikoqiri i sotëm i Fabrikës “Renova” në Xhepçishtë, e cila me punën e saj dhe rezultatet e arritura është një ndër dëshmitë kryesore për suksesin që kanë koncensionerët tanë, siç është “Renova”. Përveç tre minierave, për shfrytëzimin e shërbimeve mineraleve ka zgjeruar prodhimin e tij edhe në vendet fqinje, ndërsa produktet e kësaj fabrike janë të njohura për cilësinë e tyre edhe në vendet e Lindjes së Mesme”- theksoi ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri.
Sipas ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, dikasteri që ai drejton do të vazhdojë aktivitetet e planifikuara në sektorin e minierave, duke i kushtuar vëmendje të veçantë këtij segmenti ekonomik, drejtë rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke krijuar një marrëdhënie partneriteti me potencialin njerëzor që punon në këto miniera.
MIFTAR EMINI
