1 maji, protesta në Europë dhe Botë

01.05.2019 15:45

Në mbarë botën mijëra njerëz protestojnë për 1 majin....

Në mbarë botën mijëra njerëz protestojnë për 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një ditë e cila në shumë vende të botës nuk është festë.

Qytetet e mëdha kanë rritur sigurinë, e madje duke përdorur edhe dronet për të kontrolluar turmat për tubimet e 1 majit.

Në Greqi mijëra punëtorë marshuan në qendrën e Athinës duke protestuar kundër papunësisë, masave shtrënguese dhe paketave ndërkombëtare të ndihmës, të cilat kanë qenë në fuqi që nga viti 2010 për krizën e borxhit të vendit.

Në Francë ku vala e protestave ka nisur prej disa muajsh, janë angazhuar më shumë se 7,400 policë për të garantuar sigurinë.

Autoritetet franceze i druhen më shumë aktivistëve radikalë që mund t’u bashkohen protestuesve antiqeveritare dhe punëtorëve në rrugët e Parisit.

Në Gjermani më shumë se 500 oficerë kaluan në gatishmëri vetëm në Berlin, ku protestuesit e udhëhequr nga “Revolucionarët e 1 majit”, për javë të tëra kanë bërë thirrje për demonstrata masive. Policia turke ka mbikëqyrur rrepte sheshin Taksim të Stambollit, ku demonstratat e Ditës së 1 majit janë mbajtur për vite me radhë. 

Në Iran, 12 anëtarë të Sindikatës së Punëtorëve u arrestuan, për shkak të planifikimit të tubimeve. Irani nuk i njeh sindikatat e pavarura të punëtorëve.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lidhet me protestat e përgjithshme dhe të përgjakshme të punëtorëve të fabrikave të Çikagos më 1 maj të vitit 1886.