Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Kumanovë
01.05.2019 16:03
Kandidati për president i mbështetur nga partitë në pushtet, Stevo Pendarovski....

Kandidati për president i mbështetur nga partitë në pushtet, Stevo Pendarovski, ka vizituar Likovën dhe Kumanovën, ku është ndalur edhe në Lagjen e Trimave. Nga Kumanova ka deklaruar se vizioni i tij është: qytetar të bashkuar, shoqëri pa ndarje etnike dhe shtet i sigurt.
“Unë fuqishëm besoj se vetëm të bashkuar mund të shkojmë përpara, drejt ardhmërisë më të mirë, drejt NATO-s dhe BE-së. Pikërisht për këtë do të jem president i cili do të nxisë bashkim dhe mirëkuptim. Në kabinetin tim do të ketë përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike të zgjedhur sipas kompetencave dhe profesioneve të tyre. Kabineti i presidentit do ta përshkruajë shoqërinë tonë shumëkulturore. Vetëm me rrethimin e numrit 3 është garanci, NATO dhe BE po vijnë në formë të përshpejtuar dhe kjo gjë me besoni se nuk po ndodh me asnjë vend tjetër nga rajoni. Vetëm për këtë vend po vijnë lajme të mira, ndërsa Europa vetëm vendin tonë e lavdëron”,- deklaroi kandidati për president nga LSDM dhe Koalicioni, Stevo Pendarovski.
“Nјë vendim i gabuar më 5 maj mund të na kushtojë kthimin mbrapa, të na kushtojë dekada mbrapa. Më 5 maj, vendimi është a do të ecim përpara në drejtimin e duhur me botën bashkëkohore, ose dikush me gënjeshtra do të na kthejë mbrapa. Asnjë zonë e vendit tonë nuk duhet të lejojë këtë. Të dalim masovikisht të përkrahim kandidatin që bashkon”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev dhe Pendarovski u premtuan edhe njëherë kumanovarëve se politikat që po i realizon kjo qeveri garantojnë anëtarësim të sigurt të vendit në NATO dhe BE. Dyshime nuk duhet të ketë se a do t’i dekretojë ose jo ligjet e mbetura që janë në dobi për të gjithë, tha Pendarovski në qytetin e Kumanovës.
REXHEP QAMILI
