Presidencialet, opozita shqiptare koordinohet për rrethin e dytë
Opozita shqiptare vendos të enjten se si do t’i orientojë votuesit e tyre....

Opozita shqiptare vendos të enjten se si do t’i orientojë votuesit e tyre që në rrethin e parë votuan për kandidatin e pavarur, Blerim Reka. Lëvizja Besa as në mbledhjen e fundit të këshilli qendror nuk doli me një qëndrim të prerë, por ka autorizuar kreun e saj, Bilall Kasamin, që të vendos në koordinim me kandidatin Reka dhe me ASh-në, që mbledh të enjten këshillin qendror.
Nga ASh tashmë e kanë bërë të qartë se nuk ka ndryshim në qëndrimin nga rrethi i parë, për të mos ndikuar në elektoratin e tyre, por t’i lënë votuesit të vendosin vetë se kë do të mbështesin në rrethin e dytë.
BDI: ABSTENIMI NË ZGJEDHJE RREZIKON NATO-N DHE BE-NË
BDI, ndërkohë, thotë se më 5 maj qytetarët duhet të dalin masovikisht në zgjedhje, pasi çdo abstenim jo vetëm që do të sillte krizë në vend, por do të ndihmonte forcat që janë kundër NATO-s, BE-së dhe vetë Marrëveshjes së Ohrit.
“Abstenimi ndihmon VMRO-DPMNE-në opozitare. Abstenimi sjell krizë presidenciale dhe parlamentare. Abstenimi rrezikon NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Abstenimi as nuk bën president të përkohshëm e as nuk dënon ndonjë parti, por nxit krizë dhe zgjedhje. Ju ftojmë të gjithëve që më 5 maj të vërshojmë kutitë e votimit për ta siguruar të ardhmen euroatlantike dhe shoqërinë e barabartë për të gjithë. Çdo apel tjetër është ftesë për krizë dhe thirrje kundër NATO-s, kundër BE-së, kundër barazisë gjuhësore”,- u shpreh shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Izet Mexhiti.
Nga BDI shprehen të bindur se censusi i nevojshëm do të arrihet sepse qytetarët e kanë kuptuar se nuk votohet vetëm për president.
“Punojmë intensivisht dhe jemi optimistë që do të arrihet censusi, sepse mosarritja na sjell hyrje në një krizë të re e cila nuk i duhet qytetarëve, nuk i duhet shtetit. Në raundin e dytë, përkrahja nga BDI do të jetë në rritje minimum 80 mijë vota për Pendarovskin”,- theksoi shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Izet Mexhiti.
VMRO-DPMNE: SHTETIT I DUHET NJË LLOJ TJETËR POLITIKANËSH
VMRO opozitare, ndërkohë, thonë se vendit i duhen politikanë të një lloji tjetër, e jo ata që ofron shumica qeveritare.
Sipas VMRO-së, Maqedonia nuk do të marrë datë për fillim të bisedimeve as në këtë qershor, vendi është në krye të listës për korrupsion dhe nuk mund të shpresoj të anëtarësohet në BE. Për këtë gjendje, sipas tyre, ka faj edhe kandidati i qeverisë Pendarovski.
“A do të marrë guximin Pendarovski që së paku një herë publikisht të pyes Zaevin se pse nuk ka datë për fillimin e negociatave? A morëm datë për negociata vitin e kaluar? Deri ku janë reformat në gjyqësorë? Deri ku janë reformat në ekonomi? Pse nuk ka investime? Ku janë të hollat për investime kapitale? Këtu ndërlidhet edhe një pyetje se nëse Pendarovski bën amin miton për qëllime zgjedhore mbi punëtorët, me çka shkelet e drejta e tyre thelbësore demokratike, mito që e zbaton dhe nxit Zoran Zaevi. Në fund a do të pranojë Pendarovski se ku jeton dhe se pse pas gjitha atyre funksioneve si pronë ka paraqitur vetëm dy automobila, një të bashkëshortes dhe Jugon e tij? Këto janë pyetje prej të cilave Pendarovski ik nga përgjigjja dhe ballafaqimi para publikut”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM përkujtojnë VMRO-në se në vend që të gënjehen përmes konferencave joreale për shtyp, bëjnë mirë të përgatiten edhe për një humbje më 5 maj kur qytetarët do të japin verdiktin final kundër matricës së tyre destruktive të ndarjeve, kriminalitetit dhe izolimit. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
