Basha: Do të ketë përshkallëzim të mosbindjes civile

01.05.2019 19:00

Një ditë pasi aleatet e tij i kërkuan presidentit, Ilir Meta.....

Një ditë pasi aleatet e tij i kërkuan presidentit, Ilir Meta, thirrjen e një dialogu me mazhorancën, kryetari demokrat, Lulzim Basha, nuk lëviz nga qëndrimi i tij.

Ai thotë se largimi i kryeministrit, Edi Rama, është i panegociueshëm. Ndërsa, tha se ditën e nesërme do të ketë përshkallëzim të mosbindjes civile në 12 qarqet e Shqipërisë.

 “Largimi i Ramës është kusht i panegociueshëm për t’i hapur rrugën dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë transitore. Do shpalosim detyrat e qeverisë transitore për garantimin e zgjedhjeve. Po punojmë për programet politike ekonomike. Ne do të vazhdojmë aksionin në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 nis aksioni në 12 qarqet e vendit me bllokimin e akseve”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Deklaratat kreu i demokratëve i bëri pas takimit me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ndërkaq, gjatë orëve të pasdites, Basha ka zhvilluar konsultime edhe me kryetarët e pesë partive aleate, me të cilët krijoi koalicionin e pamundësimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. (Luljeta Ndoka, TVM2)