Maqedoni

Debat në Uashington: BE t’i japë datë për bisedime Maqedonisë së Veriut

02.05.2019 11:14

BE-ja nuk duhet ta lë Maqedoninë e Veriut të presë dhe në qershor të marrë datë...

BE-ja nuk duhet ta lë Maqedoninë e Veriut  të presë dhe në qershor të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim, u tha në panel-diskutimin për Ballkanin Perëndimor, që e organizoi mbrëmë Universiteti “Xhon Hopkins” në Uashington.
 
“Ballkani është përballë me probleme, por momentalisht kanë mbetur dy, pasi që u zgjidh me sukses çështja e emrit të Maqedonisë. Ka mbetur vetëm që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhja për pushtetin jofunksional në Bosnjë e Hercegovinë”,- deklaroi Daniel Server nga Shkolla për studime të avancuara dhe menaxhim me kriza në universitet.
 
“Ky është momenti i vërtetë që të zgjidhet çështja e Kosovës dhe e Serbisë. Dhe kur kjo do të zgjidhet, problemi në BeH do të duket shumë më ndryshe, nga kjo perspektivë dhe më i lehtë për t’u zgjidhur”,- tha Server.
 
Në pyetjen e të pranishmëve: çka do të ndodh nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për bisedime në qershor, drejtori i Qendrës për studime evropiane juglindore nga Universiteti në Grac, Florian Biber, u përgjigj se kjo sërish mund t’u japë fuqi forcave nacionaliste dhe izoluese në vend. Për Marrëveshjen e Prespës tha se është i suksesshëm sepse ka buruar nga nevojat lokale. Sipas tij, problem për Ballkanin janë qeveritarët autoritarë, që i neglizhojnë vlerat demokratike liberale të BE-së dhe ShBA-së, që mbështeten nga mediat kryesore nacionale, si në Serbi, të cilat janë lojale ndaj presidentit.