Maqedoni
BFI me apel: Të dielën të votojmë për NATO dhe BE!
02.05.2019 11:36
Rijaseti i BFI-së u apelon votuesve myslimanë në vend që më 5 maj të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës....

“Më 5 maj dilni votoni për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi”,- thuhet në apel.
BFI është e vetëdijshme se votuesit, pa përjashtim, kanë bindjen e tyre se për cilin kandidat të votojnë. Duke votuar për vlerat evropiane dhe amerikane, të gjithë zgjedhësit vihen në krah të forcave që ia duan të mirën këtij vendi, që e duan lirinë dhe pavarësinë, që e duan paqen me vetveten dhe me Zotin, thuhet në apel.
“BFI vazhdimisht ka bërë dhe bën thirrje që besimtari, krahas lidhjes me Zotin, të jetë në lidhje edhe me shoqërinë, jo për t’u bërë vegël e ndokujt, por për të pritur prej faktorëve vendimmarrës më të mirën për vetveten dhe për ummetin mysliman. Lidhja me Evropën e përparuar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi thellë të bindur, do të sigurojë një të sotme dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë besimtarët, pavarësisht se cilës fe i takojnë”,- thuhet më pas në apelin e BFI-së.
Besimtarët islamë të Maqedonisë së Veriut – shqiptarët, turqit, tërbeshët, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe gjithë të tjerët presin shumë nga presidenti i tyre i ardhshëm, presin shumë nga puna dhe vendimet e tij, prandaj ata krejt lirshëm, ashtu siç u ka hije, të dielën, më 5 maj 2019, të dalin dhe të votojnë duke shfrytëzuar të drejtën dhe obligimin e tyre kushtetues, thuhet në apelin e BFI-së.
LEUNORA KALIQI
