Maqedoni

Zgjedhjet Presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Shtip dhe Koçan

02.05.2019 15:05

Kandidati për president i mbështetur nga partitë në pushtet, Stevo Pendarovski, ka vizituar qytetin e Shtipit dhe është ndalur me takime edhe në Koçanë....

Nga këto dy qytete, Pendarovski dhe kryetari i LSDM-së i kanë bërë thirrje qytetarëve që masovikisht dhe pa mëdyshje më 5 maj të mbështesin opsionin i cili garanton një të ardhme më të mirë për të gjithë dhe anëtarësim të plotë të vendit në strukturat euroatlantike.  
 
“Ju e dini se nëse i jepni mbështetje këtij opsioni politik, i cili formalisht është prezantuar përmes meje dhe numrit 3, vetëm në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së, ndërsa nëse fiton shumicën e votave opsioni tjetër nuk do të shohim as “E” prej fjalës Europë, e as “N” prej  fjalës NATO. Ndodhi çfarë ndodhi në rrethin e parë, por tani në rrethin e dytë duhet të fitojë shumicën e votave opsioni të cilin unë e promovoj,  që Maqedonia përfundimisht pas shumë vitesh të bëhet  anëtare e plotë e dy fuqive më të mëdha botërore. Çka është lëshuar, është lëshuar, tani ka rëndësi që të mos lëshojmë shansin për anëtarësim në këto dy organizata. Kundërkandidatja nuk e ka ndërmend të çojë vendin në Europë. Ajo e cila përfaqëson interesat e “familjes” dhe të VMRO-DPMNE-së thotë qartë se për çdo të mirë që është bërë deri tani në këtë drejtim do të bëjë revizion. Për këtë arsye me rrethimin e numrit 3 ju i thoni lamtumirë  gruevizmit dhe regjimit të kaluar”,- tha kandidati për president - LSDM dhe koalicioni, Stevo Pendarovski. 
 
“Ju sot që keni ardhur këtu gjatë festës së 1 majit, e di se keni marrë vendimin e duhur për të mbështetur Pendarovskin. Unë këtë e kam të qartë, por duhet t’ju tregojmë edhe atyre rreth nesh që kjo “luftë”e jona, nga e cila kemi të kënaqur dhe të pakënaqur është në interes të atdheut, luftojmë për fëmijët tanë, për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme. Mjaft ishte tranzicion. Mjaft 30 vite qëndruam në baltë. Qytetarët kanë të drejtën ekskluzive të japin drejtimin e vendit  në ditën e zgjedhjeve. Çdo njëri që do të qëndrojë në shtëpi dhe nuk do të votojë është i papërgjegjshëm para atdheut dhe fëmijëve të tyre. Tregojuni atyre se më 5 maj duhet të dalin dhe të votojnë”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Pendarovski dhe Zaevi u shprehen të vetëdijshëm për pakënaqësinë e madhe të qytetarëve që kanë për politikat aktuale të kësaj qeveria dhe thanë se e njëjta është e arsyeshme dhe se do të përmirësohen në të ardhmen. U premtuan atyre se pas mbylljes së Marrëveshjes së Ohrit, nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe me Bullgarinë, do të përkushtohen për të përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve dhe se pas zgjedhjeve do të kapen për “spastrim”  të funksionarëve dhe drejtorëve të cilët nuk dëshmuan rezultatet në punën e tyre gjatë dy viteve të fundit. 
 
REXHEP QAMILI