Derkovski: Besoj se të dielën do të zgjidhet presidenti i ri

02.05.2019 16:04

Komisioni Shtetëror Zgjedhor së bashku me 12 ekipet e saj....

Komisioni Shtetëror Zgjedhor së bashku me 12 ekipet e saj ka tërhequr materialin zgjedhor për zgjedhjet e rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale nga shtypshkronja “Kiro Dandarko” në Manastir, për ta distribuuar në 80 komunat ku do të realizohet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, por edhe për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat e Novo Sellës dhe Ohrit. Të dielën do të votohet në 3480 vendvotime, ku të drejtë vote do të kenë 1.808.131 votues.                          

“Fushata mund të them kaloi në një atmosferë të qetë, pa ndonjë prishje më serioze, kandidatët janë përmbajtur në agjendën e tyre. Janë normale disa reagime më të ashpra të kandidatëve në ditët e fundit para rrethit të dytë të zgjedhjeve, por për ne kjo nuk është me rëndësi, për ne është me rëndësi të dielën të kemi një ditë zgjedhore të pastër fer dhe demokratike, ku do ta vërtetojmë atë që ndodhi në rrethin e parë më 21 prill, ku kishim zgjedhje të qeta dhe të lira demokratike, që paraqet kusht për shumë çështje tjera që synon vendi ynë. Unë besoj se të dielën do të zgjidhet presidenti i shtetit”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.

MILLOSHEVSKI: NUK KA MUNDËSI PËR FALSIFIKIM TË FLETËVOTIMEVE

Drejtori i shtypshkronjës “Kiro Dandarko”, Dragi Milloshevski, pohoi se materiali zgjedhor i rrethit të dytë është edhe më i sigurt se ai i rrethit të parë dhe përmban plot 21 masa mbrojtëse.

“Do të kisha apeluar deri tek falsifikatorët se këto fletëvotime janë të mbrojtura shumë mirë, që nuk ka lënë asnjë mundësi që të njëjtat mund të falsifikohen”,- tha drejtori i shtypshkronjës, Dragi Milloshevski.

Për t’u arritur censusi në rrethinë e dytë zgjedhor prej 40 për qind, do të duhet që të drejtën e tyre të votës ta shfrytëzojnë 723.253 votues. Në atë rast njëri nga dy kandidatët që do të merrte më së shumti vota do të zgjidhej president i vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)