Maqedoni

Ligji për Prokurorinë, Qeveria: VMRO të rishqyrtojë propozimet

02.05.2019 16:22

Grupet punuese për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për Ligjin për Prokurori Publike, po numërojnë në vend....

Qeveria ftoi opozitën e kryesuar nga VMRO-DPMNE që të rishqyrtojë propozimet e saj të fundit, të cilat u cilësuan si të papranueshme nga Ministria e Drejtësisë dhe LSDM. Përfaqësues të shumicës deklaruan se kërkesat e VMRO-DPMNE-së nënkuptojnë amnisti për qeverisjen kriminale të qeverive “Gruevski”.   
 
“Sa i takon PPS-së, për momentin nuk kemi informata të reja, përveç atyre që treguam. Ai që është parashtruar deri tani nga VMRO-DPMNE është absolutisht e papranueshme për Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë dhe VMRO-DPMNE duhet sërish të shqyrtojë propozimet e saj për të gjetur zgjidhje adekuate”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike, i cili sanksionon edhe statusin e Prokurorisë Speciale, është një ndër katër kushtet e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim.    
 
Veç kësaj, Qeveria njoftoi se presidenti i Republikës ka treguar interes për buxhetin që i takon pas mbarimit të mandatit dhe në kuadër të atij buxheti cilat janë specifikat për formimin e kabinetit të ish presidentit.
 
“Ka marrë përgjigje, përkatësisht informatë se ai buxhet është në nivel 8% nga  buxheti vjetor i paraparë për institucionin Kryetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se në kuadër të atij buxheti duhet të parashtrohet kërkesë për ambiente afariste etj... Një kërkesë e tillë nuk është parashtruar”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Zëdhënësi qeveritar nuk deshi të komentojë vendimin gjyqësor për gjobitjen e arbëreshit që shpalosi flamurin shqiptar në Kalanë e Ohrit, me arsyetimin se gjykata sigurisht ka gjetur shkelje të Ligjit për përdorimin e simboleve.  
 
SHPËTIM NUREDINI