Maqedoni

Lëvizja Anti Bixhoz: Institucionet nuk po i mbajnë premtimet

02.05.2019 16:53

Lëvizja Anti Bixhoz ka deklaruar se institucionet nuk po i mbajnë premtimet për plotësimin e kërkesave....

Lëvizja Anti Bixhoz ka deklaruar se institucionet nuk po i mbajnë premtimet për plotësimin e kërkesave të tyre për dislokimin e kazinove dhe bastoreve sportive 3 km nga vendbanimet. Sipas tyre, çdo ditë në Maqedoninë e Veriut po hapen kazino dhe bastore sportive. 
 
“Pas të gjithë ankesave, protestave dhe përpjekjeve të shumta që të ndalohet kjo katrahurë, dita ditës sa vjen e rëndohet dhe më shumë  situata në teren me hapjen e objekteve të reja ku zhvillohet kumari. Nga takimi me drejtorin e Inspektoratit të Tregut të RMV-së, morëm premtim se do të zhvillohen kontrolle të rrepta. Mirëpo pas dy ditëve të kontrolleve nga inspektorët, fatkeqësisht Drejtoria humbi frontin duke ndërprerë kontrollet, prandaj pyesim se kush qëndron pas këtij urdhri”,- tha Jushi Emurllahu nga Lëvizja Anti Bixhoz.
 
Nga Lëvizja Anti Bixhoz shprehen se janë duke rishikuar kërkesat e tyre. Sipas tyre, duhet të sillet ligji që këto veprimtari të ndalohen me ligj, siç bëri Kosova dhe Shqipëria.
 
“Ne gjithsesi rrugën tonë do ta vazhdojmë, jemi në mendim që të rishikojmë edhe kërkesat tona, që më mos të kërkojmë dislokimin apo largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet 3 km, por të vijë një ligj ashtu siç erdh në Shqipëri, Kosovë, pasi më është e pakuptim kërkesa jonë pas gjithë asaj që ka ndodhur përreth Maqedonisë”,- tha Gani Nuhi nga Lëvizja Anti Bixhoz.
 
Pas mbylljes së kazinove dhe bastoreve në Kosovë dhe Shqipëri, të njëjtat kanë gjetur treg në Maqedoninë e Veriut.
 
VISAR SADIKI