Reka me apel te qytetarët: Dilni masovikisht në votim, shpëtoni integrimet

02.05.2019 17:27

Kandidati i pavarur për president, i cili u përkrah edhe nga opozita shqiptare, Blerim Reka...

Kandidati i pavarur për president, i cili u përkrah edhe nga opozita shqiptare, Blerim Reka, pasi nuk siguroi vota të mjaftueshme që të kalojë në rrethin e dytë, ka dalë me apel te qytetarët që më 5 maj të dalin masivisht në votim dhe ta shpëtojnë procesin euroatlantik.

Në një postim në rrjetet sociale, Reka thekson se: “Edhe sot po e përsëris atë që e thashë në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregtinë me vota. As unë e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diel. Tregtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronarë të votave tuaja? Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pasur as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiakë të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial. Unë mund vetëm t’u apeloj që më 5 maj të dilni sa më masivisht në vendvotime dhe ta shpëtoni procesin euroatlantik.

Ai po ashtu falënderon edhe një herë qytetarët për rreth 80,000 votat në rrethin e parë. “Këto vota tuaja mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë - me ligjin mbi të gjithë”: si rruga e vetme për NATO dhe BE”,- thekson Reka.