Debat në Uashington: BE t’i japë datë për bisedime Maqedonisë së Veriut
Bashkimi Evropian nuk duhet ta lë Maqedoninë e Veriut të presë më tej....

Bashkimi Evropian nuk duhet ta lë Maqedoninë e Veriut të presë më tej, por në qershor duhet t’i japë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Kështu është vlerësuar në panel-diskutimin për Ballkanin Perëndimor, që e organizoi mbrëmë Universiteti “Xhon Hopkins” në Uashington.
“Ballkani është përballur me probleme, por momentalisht kanë mbetur dy, pasi që u zgjidh me sukses çështja e emrit të Maqedonisë. Ka mbetur vetëm që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhje për pushtetin jofunksional në Bosnjë e Hercegovinë. Imagjinoni, nëse nuk do të zgjidhej problemi me emrin e Maqedonisë, sa më vështirë do të ishte zgjidhja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë”,- ka deklaruar njohësi i çështjeve politike për Ballkan, Daniel Server.
Në pyetjen e të pranishmëve: çka do të ndodh nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për bisedime në qershor, drejtori i Qendrës për studime evropiane juglindore nga Universiteti në Grac, Florian Biber, u përgjigj se kjo sërish mund t’u japë fuqi forcave nacionaliste dhe izoluese në vend.
Ai e ka vlerësuar Marrëveshjen e Prespës si burim që krijoi mundësinë për opsionin e eurointegrimeve.
“Marrëveshja e Prespës u arrit përmes vullnetit të dy qeverive. Kuptohet, nuk do të arrihej marrëveshje mes dy vendeve nëse nuk do të ekzistonte opsioni NATO dhe BE për Maqedoninë e Veriut”,- ka thënë Biber.
Analisti politik ndërkombëtar, Daniel Server, ka komentuar edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Në drejtim të dialogut Kosovë - Serbi, Server ka thënë se Komisioni Evropian këtu e ka humbur kredibilitetin e saj.
“Ky është momenti i vërtetë që të zgjidhet çështja e Kosovës dhe e Serbisë. Dhe kur kjo do të zgjidhet, problemi në BeH do të duket shumë më ndryshe, nga kjo perspektivë dhe më i lehtë për t’u zgjidhur”,- vlerëson Server.
Të gjithë panelistët kanë konkluduar se krahas zgjidhjes së problemeve të ndërsjella, nevojitet progres i përgjithshëm në rajon dhe përforcim i demokracisë dhe sundimit të drejtësisë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
