MASh: Në klasë të parë vetëm fëmijët e vaksinuar
Ministria e Shëndetësisë me anë të një njoftimi ka sqaruar....

Ministria e Shëndetësisë me anë të një njoftimi ka sqaruar se që të regjistrohen fëmijët në shkollë, duhet të marrin paraprakisht vërtetim se i kanë marrë të gjitha vaksinat e parapara me kalendarin e vaksinimit.
“Për fëmijët të cilët do të regjistrohen në klasë të parë në shkollë fillore, në maj, për vitin shkollor të ardhshëm, gjatë regjistrimit, prindi është i obliguar të dorëzojë vërtetim për marrje të vaksinave të detyrueshme, të marrë nga institucioni shëndetësor. Bëhet fjalë për detyrim që parashihet me nenin 46, paragrafi 2 të Ligjit për arsim fillor. Institucionet shëndetësore nuk guxojnë të japin vërtetim nëse fëmija nuk i ka marrë vaksinat e detyrueshme”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Nga kjo ministri njëherit sqarojnë se vërtetimi për vaksinat e marra tashmë është paraparë edhe me ndryshimet e Rregullores për dokumente pedagogjike dhe evidencë të fëmijëve në çerdhe dhe qendra të zhvillimit të hershëm, të cilat kanë hyrë në fuqi më 30 prill 2019.
