Përkujtohet 2 maji – Shpallja e Likovës Zonë e Lirë

02.05.2019 18:07

Qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet, morën pjesë në manifestimin gjithëpopullor në Sllupçan....

Qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet, morën pjesë në manifestimin gjithëpopullor në Sllupçan në shënimin e 2 majit, Ditës kur para 18 vitesh Ushtria Çlirimtare Kombëtare Likovën  e Karadakun e shpalli zonë të lirë.

Edhe këtë 2 maj u përkujtuan të gjithë ata që derdhën gjakun dhe dhanë jetën e tyre për idealin e tyre atdhetar. Me këtë rast, para të pranishmëve u paraqitën mjaft fjalime, përmes të cilave edhe njëherë u përkujtua rënia e bijve e bijave tona në altarin e lirisë, duke avancuar  pozitën e  shqiptarëve në Maqedoni.

“Mesazhi i kësaj dite është se fuqisë së drejtësisë nuk mund t’i përballojë askush, qoftë me gjyqe të montuara, ushtri e polici shtetërore, kjo u dëshmua sot e 18 vjet më parë kur këtë vend e kapluan krismat e ushtarëve, të trimave të UÇK-së kundër forcave qeveritare”,- u shpreh mes tjerash Njomza Ajdini nga Këshilli Organizativ.

“Ne këtu i kemi pasur të gjithë dëshmorët më 2 maj 2001, tash janë nën dhe më të mirët tanë dhe ne që jetojmë e kemi vështirë të flasim jo vetëm nga mosha, por që nuk ishim ne nën dhe e ata do ta çlironin dhe bashkonin kombin tonë, sepse ata nuk ndaleshin dot”,- u shpreh mes tjerash Fazli Veliu nga ShVL-UÇK - dega Kumanovë -Likovë.

“Sot, sikurse para 18 vjetësh, të freskëta janë kujtimet për luftëtarët e lirisë dhe dëshira jonë për të veshur uniformën e UÇK-së, për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin kombëtar. Në këtë ditë dhe kohë, të bindur se vetëm rezistenca e armatosur do ta ndryshonte gjendjen e rënduar patëm guximin t’i kapim armët për të luftuar për liri dhe dinjitet”,- u shpreh mes tjerash Berat Ajdari nga SHVL-UÇK - dega Kumanovë-Likovë.

Pas përfundimit të tubimit përkujtimor, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, bën homazhe në varrezat e dëshmorë në fshatin Sllupçan. (Fatlum Aqifi, TVM2)