Çanta pa libra për nxënësit e Luginës
Për fat të keq edhe ky vit shkollor në të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës po fillon pa tekste mësimore.....

“Për fat të keq edhe ky vit shkollor në të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës po fillon pa tekste mësimore, pa libra adekuate dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimor për nxënësit shqiptarë të Luginës. Andaj është krejtësisht e arsyeshme situata në Luginë të Preshevës, ku në vend të përgëzimeve për vitin e ri shkollor, imponohen protestat si formë e rezistencës kundër diskriminimit shtetëror që në forma perfide po e zbaton edhe Qeveria aktuale serbe, në të cilën protestë morën pjesë prindërit dhe arsimtarët”- ka thënë mes tjerash në deklaratën e tij kreu i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Qëllimi kryesor është që të përcillet mesazhi në Ministrinë e Arsimit në Beograd, Qeverinë në Beograd, t’i përcillet masazhi faktorit ndërkombëtar, madje edhe faktorit kombëtar në Prishtinë dhe Tiranë, sepse shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të pakënaqur në fushën e arsimit. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ende nuk i gëzojnë të drejtat e teksteve, si hap i parë, ne pastaj do të marrim edhe hapa të tjerë pas kësaj proteste”- deklaroi kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Konsiderojmë se një gjë e tillë duhet të ngrihet dhe të gjendet zgjidhje, jemi kundër çfarëdo lloji diskriminimi që u imponohet shqiptarëve qoftë edhe për çështjet elementare, siç është mungesa e teksteve”- theksoi përfaqësuesi i Këshillit Nacional, Jonuz Musliu.
Në Luginën e Preshevës ishte për vizitë edhe ministri i Arsimit, Serxhan Verbiç. Gjersa në shkollat serbe të gjitha tekstet e katër klasave të para janë siguruar falas, në shkollat shqipe falas është siguruar vetëm libër-leximi për klasën e dytë, të tretë dhe të katërt. (Hamide Ibraimi-Emini, TVM2)
