Epidemia e fruthit, viktima e katërt një foshnje 10-muajshe

03.05.2019 17:24

Një foshnje 10-muajshe është viktima e katërt e fruthit në vend...

Një foshnje 10-muajshe është viktima e katërt e fruthit në vend. Foshnja e pavaksinuar ka humbur luftën me jetën pas një qëndrimi dyjavor në spital. Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 113 raste të reja me fruth.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive nga fruthi janë shtruar 39 pacientë, prej të cilëve 16 fëmijë dhe 23 të rritur. Pesë pacientë në moshë të rritur dhe një fëmijë janë në gjendje kritike.

“Ka pasur pneumoni të rëndë, hemorragji të trurit. Ju them që fruthi morbili është një sëmundje serioze dhe është një sëmundje e shumëfishtë dhe mund të sulmojë të gjithë sistemin organik dhe të frymëmarrjes dhe sistemin nervor qendror. Për fat të keq mund të sjell edhe kësi pasqyre të rëndë klinike dhe përskaj përkujdesjes së madhe, mund të përfundojë me vdekje”,- deklaroi Vlladimir Mikiq nga Instituti i Shëndetit Publik.

Vazhdon ndërkohë vaksinimi nëpër shkolla, por autoritetet mbeten të pakënaqur me fluksin e nxënësve që po vaksinohen. Që nga fillimi i vaksinimit në terren e deri më tash janë vaksinuar gjithsej 22.930 fëmijë.

Numri më i madh i tyre apo 13.000 fëmijë janë të moshave parashkollore jashtë Shkupit. Autoritetet bëjnë të qartë se fëmijët e pavaksinuar me vaksinën MRP nuk do të regjistrohen në çerdhe dhe në klasë të parë edhe përkundër faktit që arsimi është i detyrueshëm.

Por, autoritetet mjekësore përkujtojnë se gjithashtu i detyrueshëm është edhe vaksinimi i fëmijëve, sepse përkundër të drejtës për shkollim, duhet mbrojtur edhe e drejta e shëndetit të të gjithë fëmijëve. (Rejhane Bushi - Metaj, TVM2)