E drejta e votimit, Avokati i Popullit linjë falas për raportim të shkeljeve eventuale

03.05.2019 17:38

Në zyrën e Avokatit të Popullit, të dielën, nga ora 07:00 deri në orën 19:00...

Në zyrën e Avokatit të Popullit, të dielën, nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të funksionojë linja telefonike falas: 0800-54321, në të cilën qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo lloj shkelje të së drejtës së votimit.

Numra të veçantë telefoni ka në të 7 zyrat e Avokatit të Popullit në: Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe në Shtip, që gjithashtu do të jenë të hapura, me qëllim që t’u ndihmohet qytetarëve në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtës së tyre të votimit. Avokati i Popullit thotë se do të kërkojë marrjen e masave urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet tjera të cilat obligohen t’u sigurojnë mbrojtje të drejtave të garantuara të qytetarëve, nëse vërehen parregullsi.

Avokati i Popullit potencon se, e drejta e votimit është e garantuar me kushtetutë dhe askush nuk guxon të thirret në përgjegjësi për shkak të realizimit të kësaj të drejte, për shkak se jorastësisht shkelja e lirisë së përcaktimit të votuesve si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votimit janë vepra ndëshkuese.