Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit: Zbulohet nepotizmi në qeverinë “Gruevski”

03.05.2019 17:49

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit procedoi raste për konflikt interesi....

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit procedoi raste për konflikt interesi, sipas detyrës zyrtare, dhe konstatoi ndikim politik gjatë punësimit të familjarëve të ish funksionarëve dhe funksionarëve të tanishëm të VMRO-DPMNE-së.

Konflikt interesi dhe nepotizëm gjatë punësimit është konstatuar në Agjencinë për Komunikime Elektronike, në “ELEM ”, Telekom, në NP “Ujësjellësi”, Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Regjistrin Qendror.

“Qëllimi i këtyre hulumtimeve ishte që të zbulohet se si ka funksionuar sistemi më parë dhe tani. Për fat të keq konstatojmë se sistemi për punësim që gjeneron nepotizëm dhe që punon nën ndikim, ka funksionuar shumë më parë”,- tha kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.

Për punësimin e familjarëve të funksionarëve janë kurdisur shpalljet dhe konkurset, janë korrigjuar rregulloret për sistematizim, rangimi i kandidatëve është bërë me porosi. 

Në Agjencinë për Komunikime Elektronike janë punësuar 4 familjarë funksionarësh. Mes tyre bashkëshortja e ish sekretarit të Qeverisë, Kirill Bozhinovski, vajza e ish kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva.

Edhe deputeti, Antonio Milloshovski, ka shfrytëzuar funksionin për të ndikuar në punësimin e disa anëtarëve të familjes. Kështu është punësuar edhe babai i sekretarit gjeneral të VMRO-DPMNE-së, Igor Angjushev, i punësuar në QMK dhe disa raste të tjera. Mirëpo, Antikorrupsioni vendosi të mbyll rastet, pasi nuk ka mundësi ligjore për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

“D.m.th. është konstatuar ndikim, por të mbyllet për shkak të pamundësisë për procedim të mëtejmë”,- theksoi anëtari i KShPK-së, Shemshi Sallai.

KShPK do të ngre procedurë edhe për liderin e VMRO-DPMNE-së, Kristijan Mickovskin, për të verifikuar nëse ka blerë truall në formë të jashtëligjshme si dhe për bizneset me hidrocentralet.

I kontestueshëm është edhe rasti se si Mickovski në vitin 2016 është emëruar drejtor i ELEM-it në kohën kur ka qenë edhe bashkëpunëtor i jashtëm i ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. (Shpëtim Nuredini, TVM2)