Samiti i Zonave të Lira Ekonomike: Mungesa e kuadrit adekuat pamundëson zhvillimin

03.05.2019 17:57

Mungesa e bashkëpunimit mes investuesve të huaj me kompanitë vendore...

Mungesa e bashkëpunimit mes investuesve të huaj me kompanitë vendore si dhe mungesa e kuadrit cilësor, mbeten sfidat kryesore për zhvillimin e zonave ekonomike.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, në Samitin evropian të Zonave të Lira, që po mbahet në Shkup, theksoi se problemi me kuadrin kualifikues është një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi struktura e  të papunësurve nuk i përgjigjet kërkesave të tregut të punës.

“Të gjithë duhet ta dijmë strukturën e të papunëve në vend, ajo tani përbën 19 përqind, kjo është diku 185 mijë qytetarë në shtetin tonë, por nga ata 185 mijë vetëm 105 mijë qytetarë janë kërkues aktiv për punësim, kurse pjesa tjetër nuk paraqiten në Byronë për Punësim. Strukura e të papunëve është interesante, p.sh. prej asrimit të lartë kërkohet elektro-inxhinier, IT inxhinier, inxhiner ndërtimi etj, kompanitë kërkojnë afër 18 mijë punëtorë, por në listë kuadër i atillë nuk egziston. Prandaj politikën tonë duhet ta zhvendosim në situatën reale të cilën e kemi”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Për Organizatën Botërore të Zonave të Lira Ekonomike, me rëndësi është jo vetëm teknologjia e lartë që tashmë po hyn në zonat e lira ekonomike, por edhe mbrojtja e ambientit jetësor nga ndërmarrjet që operojnë në këto zona.

“Në fillim fokusi ka qenë tek industria, ky ishte aktiviteti kryesor i zonave të lira. Tani duhet të fokusohemi edhe tek teknologjia, sepse industria tani kërkon teknologji të lartë. Por, gjithashtu edhe në zonat e gjelbra ekonomike... Duam të kemi numër më të madh të zonave të lira sesa kemi aktualisht, por ne zgjedhim vetëm ato zona të lira ekonomike të ashtuquajtura të pastra”,- tha kryetari i Organizatës Botërore të Zonave të Lira, Mohamed Al Zaroni.

Në samit u theksua edhe nevoja e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut,  gjë që do të ndihmonte investuesit e huaj për të pasur një pasqyrë më të detajuar të fuqisë punëtore dhe kualifikimit që posedon ajo.

Në vend tani ka gjithsej 15 zona të lira, prej të cilave tetë janë me efikasitet të plotë.

Në Samitin evropian të Zonave të Lira në Shkup u diskutua edhe rreth ndihmave shtetërore për investuesit, tregtisë ilegale etj. (Zekirja Mexhiti, TVM2)