Nivelizimi i rrogave në kulturë, SAShK: Jotransparent, nuk u kyçëm në dialog
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk është e kënaqur me nivelizimin....

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk është e kënaqur me nivelizimin e paralajmëruar të rrogave të të punësuarve në institucionet e kulturës.
SAShK vlerëson se procesi është jotransparent, pasi ministria nuk i ka përfshirë në dialog.
Nga SAShK mbështesin rritjen e rrogave dhe beneficionet për të punësuarit në sektorin e kulturës, por nuk e kanë idenë se si do të nivelizohen rrogat, për shkak se nuk janë të kyçur në përgatitjen e koeficientit.
Është e paqartë nëse sistematizimi do të bëhet në nivel të marrëveshjeve me drejtorët e objekteve kulturore, apo e njëjta do të bëhet në nivel kombëtar, ku do të duhet të bëhen ndryshime dhe shtesa të marrëveshjes kolektive për kulturë.
“Është negociuar fshehurazi dhe nuk e dimë se me kë, nuk e dimë se a është e përfshirë edhe sindikata tjetër apo vetëm Ministria e Kulturës. Për një gjë të tillë të madhe, për një ndryshim të koeficientëve, absolutisht duhet të ketë pëlqim nga sindikata përfaqësuese, e ajo është SASHK-u. Çdo rritje e pagave ose çdo ndryshim i koeficientit pa pëlqimin e sindikatave përfaqësuese, do të përbënte një krim. SAShK do të marrë masa dhe sanksione për ata që do ta bëjnë këtë”,- tha kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
Sipas tij, për të njëjtat vende pune nëpër institucione të ndryshme të kulturës janë dhënë koeficiente të ndryshme. Ministria e Kulturës para një muaji ka thënë se do të bëhet nivelizimi i rrogave i të punësuarve në institucionet e kulturës, por deri në mbarimin e zgjedhjeve presidenciale nuk ka kushte ligjore që kjo procedurë të kryhet. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
